Foto: Ilustrim

Mbi 1,250 të burgosur janë vaksinuar me dozën e parë kundër COVID-19

Mbi 1,250 të burgosur janë vaksinuar me dozën e parë kundër COVID-19.

Kështu kanë bërë të ditur nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve për KALLXO.com, duke treguar se vaksinimi masiv i të gjithë të burgosurve dhe stafit, me vaksinën e dëshirueshme nga ta, për dozën e parë ka nisur më 16 dhe 17 korrik 2021.

“Gjatë këtyre dy ditëve, janë vaksinuar rreth 950 të burgosur dhe rreth 500 pjesëtar të stafit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu është bërë e ditur se për dozën e dytë, vaksinimi ka vazhduar më 16 dhe 17 gusht, e që janë vaksinuar 900 të burgosur dhe 300 pjesëtar të stafit, derisa pritet që vaksinimi të përfundojë nesër.

“Ndërsa, në këtë periudhë (16 dhe 17 gusht) me dozën e parë janë vaksinuar edhe 350 të burgosur dhe 150 pjesëtar të stafit, dozën e dytë këta persona do ta marrin pas 4 javëve”, kanë bërë të ditur për KALLXO.com Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Edhe gjatë ditës së sotme janë planifikuar që të vaksinohen edhe 100 të burgosur të tjerë dhe 148 pjesëtar të stafit me dozën e dyte në Burgun e Dubravës.

“Në këtë vaksinim janë përfshirë edhe rreth 30 pacient të Institutit të Psikiatrisë Ligjore. Procesi i vaksinimit të të burgosurve dhe stafit mjekësor e korrektues është bërë nga stafi i Departamentit Shëndetësor të burgjeve në bashkëpunim më QKMF-të në të cilat janë të vendosura burgjet”, thuhet më tej.

Në përgjigjen e tyre po ashtu është theksuar se me përfundimin e vaksinimit, ditën e enjte, do të jenë të vaksinuar mbi 85% e të burgosurve.

“Për të burgosurit që vijojnë në burgje e nuk janë të vaksinuar, çdo 7 ditë do të organizohet vaksinim i atyre që dëshirojnë të vaksinohen. Kjo vlen edhe për ata të cilët më parë kanë hezituar dhe tani dëshirojnë që të vaksinohen”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.

Deri më 18 gusht, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 622,068 doza të vaksinës. Kurse, 215,329 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Qeveria e Kosovës po ashtu nga 20 gusht, do vendos në aplikim disa masa të reja në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.