Flamuj të BE-së -Foto: REL/AFP

Mbi 100 organizata të shoqërisë civile nga Ballkani kërkojnë nga Këshilli Ekonomiko-Social i BE-së përfshirjen e Kosovës në ECMI

Mbi 100 organizata të shoqërisë civile në Ballkan, pjesë e Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile, përmes një letre kanë kërkuar nga Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Europian që të përfshijë Kosovën në Iniciativën për Anëtarë për Vendet Kandidate të Zgjerimit(ECMI) si dhe vazhdimin e iniciativës edhe pas fazës Pilot.

Në letrën e dërguar thuhet se kjo iniciativë e nisur sivjet, inkurajon vendet kandidate të marrin pjesë në mekanizmat e BE-së.

‘ECMI ka mundësuar përfshirjen domethënëse të shoqërisë civile nga vendet kandidate duke ua mundësuar të kontribuojnë në opinionet e KESE-së, veçanërisht për çështje siç janë kohezioni social dhe ekonomik. Kjo iniciativë jo vetëm që ka dëshmuar angazhimin e institucionit të BE-së për të përfshirë zyrtarisht zërat e shoqërisë civile nga këto vende, por gjithashtu ka fuqizuar shoqërinë civile, me ekspertizën dhe përvojat e saj të larmishme, për të marrë pjesë aktivisht në formësimin e politikave evropiane’ – thuhet mes tjerash në letër.

Tutje, thuhet se vazhdimi i iniciativës ‘është thelbësor për të siguruar një proces më gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës të integrimit europian për rajonin tonë’.

Përfshirja e Kosovës, si i vetmi shtet i lënë anash, u cilësua si e rëndësishme.

‘Asnjë vend nuk duhet të lihet pas për shkak të detajeve teknike të statusit, veçanërisht kur ka progres të qartë në reforma dhe përafrim me normat dhe vlerat e BE-së. Një qasje gjithëpërfshirëse, që përfshin të gjitha vendet në rrugën e anëtarësimit në BE, do të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe do të kontribuojë në vizionin e përbashkët të integrimit evropian’ – thuhet tutje në letër.

Me përfshirjen e Kosovës dhe vazhdimin e ECMI-së, këto organizata presin kontribut në bashkëpunim më të fuqishëm dhe një të ardhme europiane të përbashkët për tërë rajonin.

Nënshkrues të kësaj letre janë 103 organizata të Shoqërisë Civile.

Letra e plotë në gjuhën shqipe mund të qaset në këtë vegëz të publikuar nga KCSF.