Mbi 100 afganë të tjerë largohen nga Kosova për në ShBA

Gjatë ditës së sotme janë larguar edhe mbi 100 afganë nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka bërë të ditur se në mëngjesin e sotëm mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për në ShBA.

Përmes rrjetit Twitter ambasada ka falënderuar Kosovën për mikpritjen e shtetaseve afganë.

“Mëngjesin e sotëm, fluturimi i katërt u nis nga Kosova me mbi 100 Afganë që së shpejti do nisin jetë të re në ShBA. Faleminderit Kosovë për bujarinë dhe mikpritjen”, thuhet në njoftim.

 

Autoritetet Kosovare kanë bërë të ditur se do strehojnë deri në 2 mijë qytetarë afganë, një pjesë prej të cilëve tashmë janë larguar për në ShBA.

Për dallim nga vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët janë strehuar në hapësira të lirë për të lëvizur, në Kosovë ka qenë në masa më të mëdha të sigurisë,

Grupi i shtetasve afganë që u largua nga Kosova, deri më tash ishte i strehuar në kampin Bechtel-Enka në Ferizaj. Në këtë kamp ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan.