Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbi 10 persona të arrestuar për dhunë në familje, prinë dhuna ndaj grave

Policia e Kosovës në 24 orët e fundit ka arrestuar 13 persona të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje, personat e arrestuar janë të gjinisë mashkullore, derisa prijnë rastet e dhunës ndaj grave.

Një grua nga Prishtina ka raportuar se bashkëshorti i saj në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Sipas policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një burrë tjetër po ashtu nga Prishtina është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, derisa rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Arrestim tjetër për dhunë në familje pati edhe në Kaçanik, atje një burrë u arrestua pasi kishte kërkuar para nga motra e tij dhe në momentin që ajo nuk e kishte bërë këtë, i dyshuari kishte thyer dhe demoluar orenditë shtëpiake.

Sipas policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Derisa, në Shtime është arrestuar një burrë nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj resë së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Prizren është arrestuar një burrë pasi në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë, raportimi për ushtrim dhune është bërë më 28 nëntor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Suharekë po ashtu është arrestuar një burrë për kansoje ndaj bashkëshortes së tij.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar  një revole dhe një pushkë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë është arrestuar një burrë pasi në vazhdimësi i kishte dërguar SMS me përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese ish bashkëshortes. Nga policia bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Pejë po ashtu është arrestuar edhe një burrë tjetër pasi kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.  Policia bëri të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Për dhunë në familje është arrestuar edhe një  burrë tjetër nga Peja pasi në gjendje të dehur kishte ushtuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë janë arrestuar tre vëllezër pasi në gjendje të dehur ishin fjalosur mes vete dhe njëri prej tyre kishte tentuar ta sulmojë tjetrin. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë po ashtu është arrestuar një burrë i cili më 1 korrik 2022 ishte raportuar se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij të mitur. Sipas policisë, viktima është dërguar në strehimore, derisa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicën e Jugut  është arrestuar një burrë pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas policisë, nuk raportohet për lëndime. Derisa, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në Malishevë gjithashtu është arrestuar një burrë për të cilin më 13 qershor ishte raportuar për dhunë në familje. Sipas policisë,  me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.