Wuhan, Kinë- Foto: CNN

Mbi 1 mijë e 500 të vdekur nga koronavirus

Udhëtarët që kthehen në Pekin do të futen në karantinë të detyrueshme prej 14-ditësh, pasi autoritetet kineze kanë rritur përpjekjet e tyre për të vënë nën kontroll koronavirusin e ri, i cili deri më tani ka lënë të vdekur mbi 1500 persona në Kinë.

Masat e ndërmarra nga Kina vijnë pasi vetëm më 14 shkurt u regjistruan 2,641 raste të reja me koronavirus, një shifër më e ulët krahasuar me ditët e kaluara.

Numri i vdekjeve është raportuar më 14 shkurt se ka qenë 143, që çon në 1,523 numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi i ri vetëm në Kinë.

Po ashtu, numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin ka arritur në 66,492. Në nivel botëror, virusi – të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka emëruar COVID-19 – ka invektuar mbi 67,000 persona.

Pothuajse të gjitha vdekjet nga virusi kanë ndodhur në Kinë edhe pse në Hong Kong, Japoni dhe Filipine po ashtu është konfirmuar vdekja e pacientëve.

Sot është raportuar edhe vdekja e parë nga ky virus në Evropë. Bëhet fjalë për një turiste 80 vjeçare nga Hubei i Kinës që ndërroi jetë në Francë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja franceze e shëndetësisë, Agnes Buzyn./21Media