Burimi: www.pixabay.com

Burimi: www.pixabay.com

Mbi 1.6 miliard euro vlera e borxhit publik, identifikohet mosefikasitet në shfrytëzimin e huave

Meqenëse arka e shtetit nuk mund të mbushet vetëm nga të hyrat e rregullta, buxheti i Kosovës financohet edhe nga huamarrjet e brendshme dhe të jashtme. Borxhi publik në vitin e kaluar ishte mbi 1.68 miliard euro, ku pjesa më e madhe e tij është borxh i brendshëm.

Auditori i Përgjithshëm në raportim vjetor për vitin 2021 ka evidentuar se borxhi publik u rrit rreth 13 për qind.

“Në fund të vitit 2021 vlera e borxheve publike ka arritur vlerën prej 1,682,890,000 euro apo rreth 22% të BPV-së. Prej tyre 576,750,000 euro janë borxhe të jashtme dhe 1,106,140,000 euro borxhe të brendshme. Në raport me vitin e kaluar borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje prej 195,200,000 euro apo rreth 13%” – thuhet në raport.

Në anën tjetër, sa i përket shfrytëzimit të fondeve të marra borxh nga jashtë, Auditori ka identifikuar mosefikasitet në shfrytëzimin e tyre.

Në raport thuhet se ky mosefikasitet ishte kryesisht rezultat i problemeve me shpronësimet te projektet e infrastrukturës, ndarjeve buxhetore të paharmonizuara me dinamikën e projektit, vështirësitë në konsolidimin e njësive zbatuese të projekteve në procesin e rekrutimit dhe mbajtjes së stafit, futjes në buxhet të disa projekteve për të cilat marrëveshjet për kreditë nuk ishin ratifikuar në Kuvend si dhe efektet që ka shkaktuar pandemia COVID-19.