Mbetet pa punë sekretari që refuzoi anulimin e tenderit 110-milionësh

Ish-sekretari i ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica ka mbetur pa vendin e tij të punës, meqë qeveria e ka futur në listën e sekretarëve që kanë mbetur tepricë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që sekretari i deritanishëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi të emërohet sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku. Rrjedhimisht dy sekretarët, Arben Çitaku i ministrisë së mjedisit dhe Planifikimit hapësinor e Betim Reçica ish-sekretar i ministrisë së infrastrukturës kanë mbetur pa vend të punës.

Reçica është emëruar sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës me 19 mars të vitit të kaluar. Reçica ishte emëruar në këtë pozitë, përkundër që përfaqësuesi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kishte rekomanduar që konkursi të anulohej.

Ministria e Infrastrukturës, në fillim të vitit 2020 e kishte iniciuar një tender në vlerë 110 milionë euro, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar në një konferencë për media se ministria e Financave dhe Komisionit Rregullativ i Prokurimit kishin deklaruar se tenderi është shpall në kundërshtim me ligjin. Së fundmi, Reçica kishte kundërshtuar kërkesën e Ministrit të ri të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, për anulimin e tenderit për autostradën ‘Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, në vlerë prej 110 milionë eurove.

Reçica, para se të emërohej në këtë pozitë, ka qenë ushtrues detyre i kësaj pozite. Në nëntor të vitit të 2018-ës, Pal Lekaj kishte shkarkuar Nebih Shatrin nga pozita e ushtruesit të detyrës së sekretarit, Nebih Shatrin duke e emëruar Betim Reçicën ushtrues detyre. Mirëpo, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil i Kosovës kishte gjetur parregullsi në emërimin e Betim Reqicës si ushtrues detyre i sekretarit.

KPMShC, pas ankesës së ish-Ushtruesit të Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MI, Nebih Shatri, e kishte shfuqizuar vendimin e ministrit Lekaj, të datës 11 nëntor të vitit të kaluar me të cilin Betim Reçica ishte caktuar Ushtrues Detyre në pozitën ‘Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës’.

Këshilli gjeti shkelje në vendimin e Pal Lekajt për emërim e Betim Reçicës U.D. Sekretar

Ministria e Pal Lekajt kishte dërguar rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për ta shtyrë vendimin e Këshillimit të Pavarur, mirëpo kjo padi ishte hedhur poshtë.

Pal Lekaj e zëvëndëson ushtruesin e detyrës së Sekretarit me një UD tjetër