Ilustrim

 Mbetet në paraburgim referenti i Gjykatës, i  dyshuar për 4 mijë euro ryshfet

Ismajl Ismajli dhe Bujar Pajaziti  do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Apeli e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës së Pejës  që me datën 13 mars, të pandehurve Ismajl Ismajli dhe Bujar Pajaziti ua vazhdoi paraburgimin për 2 muaj.

Sipas vendimit të siguarar nga KALLXO.com, Ismajl Ismajli (referent në Gjykatën e Prishtinës) dhe Fadil Kryeziu dyshohen për marrje ryshfeti, ndërsa Buajr Pajaziti dhe Isuf Selmani dyshohen për dhënie ryshfeti.

Gjykata e Pejës me datën 13 mars,  të pandehurit Isuf Selmani, i kishte caktuar masën e arrestit shptëpiak deri me datën 14 maj 2020.

Kundër këtij vendimi ankesë kishin paraqitur avokati Driton Musliu, mbrojtës i të pandehurit Ismajl Ismajli nën arsyetimin se është bërë vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike.

Ndërsa avokati Asdren Hoxha, mbrojtës i të pandehurit Bujar Pajaziti u ankua për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurale.

Ndërsa prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesat e avokatëve të refuzohen të pabazuara dhe të vërtetohet vendimi i Gjykatës së Pejës.

Sipas Apelit, ankesat janë të pabazuara për shkak se gjyqtari i procedurës paraprake ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kusht ky qenësor  për vazhdimin e paraburgimit.

Sepse duke u bazuar në deklaratat e të pandehurve, i pandehuri Isuf Selmani ka përshkruar se si është takuar me të pandehurit Ismajl Ismajli dhe Bujar Pajazitin me të cilët janë marrë vesh që ta lirojnë nga paraburgimi djalin e tij Selman Selmanin në kunëdervlerë prej 4 mijë eurove.

Rastin në Polici e kishte paraqitur vet Isuf Selmani pasi që të pandehurit Ismajl Ismajli dhe Bujar Pajaziti nuk kishin arritur ta lironin nga paraburgimi djalin e tij Selman Selmanin dhe as t’ia kthenin shumën pre 4 mijë eurove.

Poashtu Gjykata e Apelit ka gjetur se ekzistojnë arsyet për vazhdimin e paraburgimit sepse ekziston rreziku se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarët e mundëshëm që i ka përmendur i pandehur Selman se kanë qenë të pranishëm kur i ka dhënë paratë të pandehurt Pajaziti.