Mbështetja për personat me aftësi të kufizuara, qeveria subvencionin pagat për 6 muaj

Sot ka filluar mbështetja në punësim për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Qeveria synon që përmes zbatimit të masës 1.6 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të subvencionojë pagën për 6 muaj, për personat me aftësi të kufizuara që punësohen në sektorin privat. Subvencioni do të jetë 270 euro në muaj.

Në takimin që e pati kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati bashkë me organizata jo qeveritare, Kurti citohet të ketë thënë se përkushtimi i Qeverisë, sipas tij, është në krijimin e një ambienti ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe të gjithë kanë mundësi të barabarta në punësim.

Ai ka dhënë detaje se si do të funksionojë kjo masë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre. Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë” – citohet të ketë thënë kryeministri.

Ndërsa ministri Murati citohet të ketë thënë se kjo masë ka një mekanizëm të veçantë zbatimi, ku sipas tij, organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshëmërisë së masës.

Megjithatë, kryeministri, ministri dhe përfaqësuesit e organizatave jo-qeveritare janë pajtuar që kjo masë të trajtohet si një pilotim, në mënyrë që të nxirren mësimet e nevojshme, që kjo masë në të ardhmen të kthehet në afatgjate.

Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, në ditën ndërkombëtare që shënon përpjekjet globale për krijimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara nuk ndihen të përjashtuar, por pjesëmarrës dhe të barabartë, Qeveria e Kosovës e kishte shpallur vitin 2022, vit të personave me aftësi të kufizuara.