Mbështeti dhunën sistematike ndaj grave, intervistohet nga Policia

Policia e Kosovës e ka intervistuar dje një person në Prishtinë, pasi ai në rrjetet sociale kishte postuar një shkrim, me të cilin e ka mbështetur dhunën sistematike ndaj grave.

Shkrimi i tij është publikuar më 9 mars, një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, pas intervestimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Tutje është bërë e ditur se rasti është duke u hetuar.

Të dhënat zyrtare, tregojnë se gratë preken më së shumti nga dhuna në familje.

Gjatë vitit 2021 janë raportuar 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje. Nga totali i 2 mijë e 486 personave të prekur nga dhuna në familje, 1 mijë e 986 kanë qenë gra, dhe 500 burra.

Të dhënat e Policisë tregojnë se në tri vite, tetë gra u vranë nga burrat e tyre.