Mbështetësit e Trumpit futen në Kongres, ndërpritet seanca

Mbështetësit e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hynë të mërkurën në ndërtesën e Kuvendit, derisa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfrimuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Senati shkoi në pauzë, ndërsa disa anëtarë të Kongresit u evakuuan në zyrat e tyre.

Nënpresidenti Mike Pence, i cili po mbikëqyrte sesionin e përbashkët të Kongresit, u pa duke u larguar nga sigurimi.

“Nuk ka vend për dhunë në politikën tonë, pavarësisht nga cila anë jeni”, tha Ronna McDaniel, kryetare e Komitetit Kombëtar Republikan në një postim në Twitter.

Mbështetësit e Trumpit marshuan drejt ndërtesës së Kongresit, ku u përballën me policinë, pasi presidenti iu drejtua atyre gjatë ditës.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, u tha Trump turmave.

Pamjet televizive të disa transmetuesve amerikanë tregojnë protestues brenda dhe jashtë ndërtesës së Kongresit, si dhe arritjen e forcave shtesë të policisë.

Mbështetësit e Trumpit jashtë ndërtesës së Kongresit, 6 janar, 2021.

Procesi i konfirmimit të presidentit të ri, që zakonisht është rutinor dhe ceremonial, tani duket se do të shkojë ngadalë.

Krahas protestave, edhe disa përfaqësues republikanë e sfiduan konfirmimin, duke u thirrur në pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.

Kundërshtimet e para në seancën e konfirmimit u paraqitën për rezultatet e shtetit të Arizonës, ku Biden është shpallur fitues.

Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i i ka ndarë edhe vetë republikanët.

“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell.

Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.

Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.

“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.

Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.

Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.

Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen./REL