Mbesa e deputetit të LVV-së emërohet u.d. sekretare në Ministrinë e Arsimit

Gjatë ditës së sotme është raportuar në media se mbesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka, Fadile Dyla është emëruar si u.d. sekretare në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

E njëjta [Fadile Dyla] e kontaktuar nga KALLXO.com as nuk e konfirmuar dhe as mohuar lidhjen familjare në mes të saj dhe deputetit Koka.

“E kemi zyrën e informimit dhe rendin shtëpiak dhe ata ju kthejnë përgjigje. Jo, por ne e kemi rendin shtëpiak dhe nuk mund ta shkelim”, është shprehur shkurt Dyla për KALLXO.com.

Ndërsa deputeti Jahja Koka nuk ka qenë i qasshëm në telefon edhe pas disa tentimeve të KALLXO.com.

Por i njëjti për Televizionin Kanal 10 ka deklaruar se Fadile Dylën e ka mbesë.

“Sa i përket mbesës time Fadile Dyla është e martuar mbiemrin e vajzërisë e ka Koka, është vajza e vëllaut tim. Ajo është e punësuar në MAShT mbadje 20 vite, prandaj unë e kuptova pak përpara nga disa gazeta, disa gazetarë më kanë thirr dhe më kanë bërë të njëjtën pyetje, unë i tregova se Dyla është e punësuar tash e 20 vite”, ka deklaruar deputeti Koka.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe ministren e MAShTI-it, Arbërie Nagavci, në lidhje me pretendimet, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka emëruar Ushtrues Detyre të Sekretarit të Ministrisë, Fadile Dylën me datën 25 të muajit maj.

Sipas MAShT-it, Dyla do ta mbajë pozitën e u.d. sekretares deri në përzgjedhjen e sekretarit permanent të kësaj ministrie.

Tutje ata kanë bërë të ditur se për plotësimin e pozitës së sekretarit të ri kanë filluar procedurat për rekrutim.

“Për plotësimin e pozitës së sekretarit, kanë filluar procedurat e rekrutimit sipas Ligjit Nr.06/L-114 Për Zyrtar Publik dhe Rregullores Nr.15/2020 për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nënpunësve të Lartë Drejtues. Në funksion të ruajtjes së vazhdimësisë institucionale gjatë procesit të zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm është caktuar si zëvendësuese, z. Fadile Dyla, e cila do të jetë në këtë pozitë deri në zgjedhjen e sekretarit/ose sekretare”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Emërimi i Dylës në këtë pozitë kishte ardhur pasi, ish-U.D. Sekretarit, Agim Bërdyna i kishte kaluar mandati si ushtrues detyre.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga zyra për media e Ministrisë së Arsimit.

“Sipas Rregullores (Qrk)-Nr. 17/2018 Për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Neni 17 lidhur me ushtrimin e detyrës, përveç në raste të mungesës së mbajtësit të postit për shkaqe shëndetësore, asnjë pozitë e lartë drejtuese nuk duhet të plotësohet me ushtrues detyre për më shumë se 3 muaj. Ky afat mund të vazhdojë edhe për tre muaj gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit. Ndërkaq, për pozitën në fjalë ishte tejkaluar ky afat”, thuhet në përgjigjen e tyre.

MAShTI ka bëtë të ditur se në lidhje me këtë i tërë procesi do të realizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Bërdyna ishte emëruar si ushtrues detyre nga ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në Qeverinë Kurti 1, më 28 shkurt 2020.

Ndërsa, Fadile Dyla është zyrtare e Ministrisë së Arsimit tash e disa vite.