UNICEF

Mbërrin në Prishtinë dërgesa e tretë e UNICEF-it me furnizime për COVID-19

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbërritur edhe dërgesa e tretë e kësaj organizate me pajisje mbrojtëse për punëtorët shendëtsorë kundër COVID-19, që janë ndihmë e Qeverisë së Luksemburgut.

 Dërgesa e tretë me pajisje mbrojtëse personale për t’i mbështetur punonjësit e vijës së parë shëndetësore kundër COVID-19 do t’i dorëzohet Ministrisë së Shëndetësisë. Dërgesa e tretë përmban 8.960 mantele kirurgjike, 2.680 maska FFP2 / N95 dhe 33.600 maska kirurgjike si ndihmë nga Qeveria e Luksemburgut”, bëhet e ditur përmes një njoftimi.

Sipas këtij njoftimi, deri më tani, UNICEF-i ka ofruar 36.200 dorëza, 68.544 maska ​​kirurgjike, 5.380 maska ​​FFP2/N95, 1.000 kominoshe për mbrojtje, 51.460 mantele kirurgjike dhe 2.934 përparëse mbrojtëse, 81 termometra klinikë me rreze infra të kuqe, të gjitha këto në mbështetje të reagimit ndaj pandemisë në Kosovë. Dhjetë përqind e këtyre furnizimeve janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe Graçanicë.

“Si partner kryesor në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, është vendimtare që Luksemburgu ta mbështesë Kosovën në luftën kundër pandemisë COVID-19. Kjo është vetëm njëra prej ndërhyrjeve të planifikuara dhe jemi krenarë që po punojmë me partnerin tonë të besueshëm UNICEF-in për të arritur tek ata që përndryshe nuk do të mund të kishin qasje në furnizime dhe shërbime që shpëtojnë jetë”, ka thënë Natacha Gomes, Shefja e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut.

Kurse, shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19.

“Ne e dimë se fëmijët dhe të rinjtë vuajnë në mënyrë disproporcionale nga COVID-19. Gjersa vazhdojmë të ofrojmë furnizime që shpëtojnë jetë përmes mbështetjes bujare të donatorëve tanë përfshirë këtu Qeverinë e Luksemburgut, ne do t’i përmirësojmë programet në mënyrë që çdo fëmijë dhe i ri të ndihmohet me planet e reagimit dhe rikuperimit ndaj COVID-19″, shtoi ai.

Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Christopher Coleman, i cili ishte i pranishëm me rastin e arritjes së donacioneve të fundit, e përgëzoi UNICEF-in për sigurimin e pajisjeve jetike në këto rrethana sfiduese.

“Kombet e Bashkuara qëndrojnë përkah popullit të Kosovës në betejën kolektive kundër pandemisë. Mos të harrojmë se ky virus është një kërcënim për të gjithë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, besimit ose statusit të secilit. Nëse veprojmë së bashku dhe me solidaritet, mund ta kapërcejmë edhe këtë krizë”, shtoi ai.

Në fund është theksuar se UNICEF-i vazhdon angazhimin e vet për të lidhur partneritet me akterët dhe për të ofruar mbështetje në terren për institucionet dhe komunitetet.

Deri tani, 604 persona janë të infektuar nga COVID-19 në nivel vendi, 128 prej tyre janë shëruar dhe 19 kanë vdekur.