Mbërrin grupi i dytë prej 113 shtetas afganë në Kosovë, priten fluturime të tjera

Grupi i dytë prej 113 qytetarësh afganë kanë mbërritur në Kosovë në orët e para të së martës, ndërsa një grup tjetër prej 131 qytetarësh afganë pritet të mbërrijë në orët në vijim.

Ky është fluturimi i dytë drejt Kosovës, që sjell shtetas afganë për t’u strehuar përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve nga 224 shtetas afganë që kanë ardhur deri tani në Kosovë, shumica janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

“Tashmë kemi dy grupe të mbërritjes të shtetasve afganë, i fundit ka qenë mbrëmë pas mensatës ku 113 shtetas afganë, bashkëpunëtor të NATO-s së bashku me familjarët e tyre kanë ardh, janë procedu sipas ligjeve të Kosovës dhe janë strehu apo akomodu në ish kampin Bechtel në afërsi të qytetit të Ferizajt. Sot po ashtu do të kemi një fluturim të ri i cili do të sjellë 131 shtetas afganë prapë bashkëpunëtor të NATO-s dhe të cilët sikurse në dy rastet e mëhershme do të procedohen bazuar me ligjet dhe vendimet e qeverisë së Kosovë dhe do të vendosen për strehim në ish kampin e Bechtel-Enka në afërsi të Ferizajt”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri Sveçla tha se deri më tani asnjë nga qytetarët afganë nuk është i infektuar me COVID-19, ndërsa paralajmëroi vaksinimin e tyre.

“Tashmë kemi filluar përgatitjet për vaksinimin e tyre me vaksina Johnson & Johnson të cilat janë ofruar nga shtetet e NATO-s, do të thotë ata kanë marr obligim që të bëjnë vaksinimin e këtyre personave gjithmonë në koordinim me institucionet e Kosovës”, tha ai.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë afganë derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja. VOA