Tryeza për parandalimin e ekstremizmit | Foto: KALLXO.com

Mbahet tryeza për parandalimin e ekstremizmit në rrjetet sociale

Projekti i financuar nga BE “Mbështetje e mëtutjeshme e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm” në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizojnë konferencën rajonale me temë “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rrjetet sociale në Ballkanin Perëndimor”, e cila do të mbahet në Prishtinë gjatë datave 6 dhe 7 Qershor.

Qëllimi i kësaj konference është mbledhja e 60 deri 80 pjesëmarrësve nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria për të diskutuar mbi rolin e rrjeteve sociale në krijimin e narrativave dhe kundër-narrativave radikale.

Konferenca do të përmbajë  prezantimet nga përfaqësues të institucioneve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia të cilët janë të angazhuar në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Gjithashtu do të ketë prezantime nga përfaqësuesit e BE-së, EUROPOL, Ambasadat e akredituara ne Kosove,  ekspertë të fushës dhe prezantime nga organizata rajonale të cilat punojnë në fushën e ekstremizmit të dhunshëm.