Foto: MKRS

Mbahet takimi i parë i Komisionit Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99

Komisioni Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99, themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, ka mbajtur sot takimin e parë konstituiv.

Në këtë takim morën pjesë  edhe kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kryeministri Kurti ka deklaruar gjatë këtij takimi ndër të tjerash se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Tranzicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën

“Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se gjatë luftës 1998/99 janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore.

Ai ka thënë se për herë të parë është ndërmarrë nisma për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara.

“Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, ka thënë Çeku.

Gjatë këtij takimi është prezantuat puna që duhet bërë dhe përgjegjësitë e komisionit.

Në gushtë të këtij viti Qeveria e Kosovës themeloi Komisioni Shtetëror për hulumtimin e Trashëgimisë Kulturore të shkatërruar gjatë luftës 1998-99.

Ky komision ka për detyrë të hulumtojë, grumbullojë dhe administrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë e nevojshme për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore gjatë luftës 1998-99.