Mbahet takimi i parë i grupit punues për themelimin e Institutit për Krimet e Luftës

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se sot është mbajtur takimi i parë i ministrit Selimi me Grupin Punues për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur takimin e parë me Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi diskutoi me anëtarët e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës,” thuhet në njoftim.

Sipas zyrës për informim, Selimi në këtë takim diskutoi për përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës.

“Diskutuam për hartimin e një analize apo studimi të Grupit Punues mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe të identifikojmë praktikat më të mira krahasuese dhe të pasqyrojmë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”, tha Selimi.

Ministri Selimi theksoi rëndësinë e themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve duke thënë se ky institut duhet të themelohet me qëllim të ruajtjes së kujtesës kolektive,” u tha në njoftim.

Tutje theksohet se për këtë institut do angazhohen 100 studentë që do bëjnë hulumtime në teren.

“Bazuar në rëndësinë dhe nevojën që ka dokumentimi i krimeve të luftës, themelimi i një mekanizmi për këtë çështje, është ndër prioritetet e mia si Ministër i Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe i Qeverisë. Kosova duhet ta ketë këtë institut për të ruajtur memorien tonë kolektive. Pas themelimit të institutit, do të punësohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtime në terren” , theksoi ministri Selimi.

Ministria e Drejtësisë në tetor të këtij viti kishte ri-proceduar në Zyrën e Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës, ku ishte aprovuar propozimi i MD-së për të themeluar Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Instituti do të ketë akademikë, profesorë, aktivistë të çështjeve të luftës, familjar të personave të pagjetur dhe përfaqësues nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.