Foto: REL/Reuters

Mbahet takimi i katërt për targat, diskutohen opsionet për zgjidhjen e këtij problemi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se sot është mbajtur takimi i katërt i ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat e automjeteve.

Ai ka bërë të ditur se diskutimet që u zhvilluan sot kanë qartësuar gjërat në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme.

“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar për takimin e katërt të Grupit Punues për Targat në Bruksel. Diskutimet sollën më shumë qartësi në lidhje me opsionet e mundshme dhe rezultatet e mundshme. I inkurajoj ata që të vazhdojnë të punojnë për opsionet në funksion të afrimit të afatit”, ka shkruar Lajçak.

Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë. Sipas vendimit, të gjithë veturat që hynin nga Serbia në Kosovë duhej të vendosnin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Kjo u prit me protesta dhe bllokim rrugësh nga banorët e veriut të Kosovës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës më 20 shtator filloi të qëndrojë pranë pikave kufitare në veri të vendit.

Në shtator të vitit 2021, ishte arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë pas dy ditë negociatash.

Nga 4 tetori filloi përdorimi i stikerave/afisheve në vetura.