Tomë Gashi në gjykatë si i akuzuar - Foto: KALLXO.com

Mbahet seanca ndaj avokatit Tomë Gashi, aktgjykimi pasnesër

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj avokatit Tomë Gashi, i cili po akuzohet për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gashi deklaroi se procesverbalin e seancës dëgjimore për paraburgimin e Azem Sylës nuk e ka marrë e as pranuar.

“Këtë procesverbal të seancës dëgjimore, për paraburgim të Azem Sylës, të 29 prillit unë kurrë nuk e kam pranu e as marrë”, shtoi Gashi.

“Kam përgjegjësi për atë që them, e jo për atë që shkruhet në portale dhe s’ka asnjë emër gazetarësh”, shtoi ai.

Kurse prokurori i rastit, Blerim Igrishta, në fjalën përfundimtare tha se mbetet në tërësi prapa aktakuzës së ngritur.

“Konsideroj se pretendimeve të tilla Gjykata nuk duhet t’ua falë besimin, pasi i akuzuari me çdo kusht po mundohet t’i ikë përgjegjësisë penale. Propozoj që i pandehuri të shpallet fajtor dhe  t’i shqiptohet dënimi meritor”, deklaroi prokurori Igrishta.

Gashi propozoi që të gjitha provat e paraqitura në aktakuzë të shpallen të papranueshme dhe rasti të mbyllet.

“Propozoj që të gjitha këto prova të paraqitura në aktakuzë të shpallen të papranueshme për këtë arsye, pasi procesverbali s’është i nënshkruar nga unë e as nga Azem Syla. Të mbyllet ky rast, pasi s’ka prova, pasi që do hiqej pengesa për punën time në Gjykatën Speciale”, tha Gashi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 mars.

Sipas aktakuzës, më 29 prill 2016, rreth orës 10:54, i akuzuari Tomë Gashi pasi që paraprakisht kishte përfunduar seancën dëgjimore në Gjykatën e Prishtinës, e ku me procesverbal ishte njoftuar nga gjyqtari i rastit se seanca ishte e mbyllur dhe duhet të ruhej si konfidenciale ajo çfarë aty flitet, i njëjti me te dalë nga seanca, pa autorizim kishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale.

E atë duke iu drejtuar mjeteve me deklarata dhe duke përmendur publikisht emrin e dëshmitarit të mbrojtur.