Foto: KALLXO.com

Mbahet seanca ndaj 8 të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimi me migrantë

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Florim dhe Florent Krasniqit, Taulant Bilallit, Sadat dhe Samed Muratit, Haki Malokut, Bekim Hasanit dhe Izet Koplingerit, të akuzuar për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.

Si dëshmitarë të këtij rasti, të propozuar nga Prokuroria, sot u paraqitën Benjamin Kutleshi dhe Xhevahir Ahmeti.

Kutleshi gjatë dëshmisë së tij tha se i është drejtuar një bashkëpunëtori të tij në Novi Pazar që të nxjerrë një patentë shofer të Serbisë me të dhëna të falsifikuara.

Këtij bashkëpunëtori Kutleshi tha se i është drejtuar përmes telefonit të të akuzuarit Haki Maloku, ku bashkëpunëtorit ia dërgoi fotografinë e tij si dhe të dhënat e një punëtori tjetër.

Për këtë, sipas Kutleshit, i akuzuari Maloku nuk ishte në dijeni.

Në këtë rast si dëshmitar u dëgjua edhe Xhevahir Ahmeti, i cili deklaroi se Policia i kishte paraqitur një dokument me të dhënat e tij personale dhe me fotografinë e të akuzuarit Sadat Murati.

Tutje ai tha se të akuzuarin Murati e njihte vetëm si figurë mirëpo nuk kishte asnjë raport me të.

Së fundmi prokurorja e rastit, Habibe Salihu, i propozoi Gjykatës që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dy dëshmitarëve të cilët ishin jashtë vendit.

Lidhur me këtë propozim patën kundërshtime avokatët Bekim Kafexholli, Naim Rudari, Muhamet Muja dhe Mexhid Syla, andaj Gjykata njoftoi se për këtë propozim do të vendosë në vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.

Prokuroria Speciale në vitin 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj 8 personave për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.

Në cilësinë e të akuzuarve sipas Prokurorisë janë Florim dhe Florent Krasniqi, Taulant Bilalli, Sadat dhe Samed Murati, Haki Maloku, Bekim Hasani dhe Izet Koplinger.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrantë.

Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi sipas Prokurorisë është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.

Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin në atë mënyrë që kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.

Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.

Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.

Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3.000 euro.

Përveç kësaj Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.