Mbahet seanca disiplinore kundër Tomë Gashit për incidentin me lypsarin
Oda e Avokatëve të Kosovës ka mbajtur sot seancën disiplinore kundër avokatit Tomë Gashi në lidhje me rastin e shkelmimit të parave të një lypsari në sheshin e Prishtinës.
Në këtë seancë disiplinore, nuk është paraqitur fare avokati Tomë Gashi.
I kontaktuar nga KALLXO.com, avokati Gashi tha se nuk ka pranuar ndonjë ftesë për paraqitje në komisionin disiplinor.
“Unë nuk di dhe nuk jam informuar, kurrfarë ftese nuk kam marrë”, tha Gashi për KALLXO.com
Rasti i avokatit Gashi kishte shkuar në zyrën e prokurorit disiplinor pas kërkesës së organizatës Youth Initiative for Human Rights në Kosovë.
YIHR kishte paraqitur parashkresë për hapjen e procedurës disiplinore pranë Odës së Avokatëve të Kosovës për avokatin Tomë Gashi dhe kishte kërkuar nga Zyra e Prokurorit Disiplinor nisjen e procedurës së pavarur profesionale hetimore, cilësimin e veprimit të avokatit si shkelje e rëndë disiplinore dhe shqiptimin e masës “humbje e të drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatisë për 4 vite”.
Kërkesa e YIHR ishte aprovuar dhe zyra e prokurorit disiplinor ka propozuar inicimin e procedurës kundër avokatit Gashi.
Që nga inicimi i rastit tek Oda e Avokatëve të Kosovës, sipas njoftimit YIHR KS në vazhdimësi e kishte përcjellë rrjedhën e rastit dhe ka kontaktuar Odën e Avokatëve të Kosovës për më shumë se 10 herë me radhë.
Në shkurt të vitit 2020, avokati Tomë Gashi ishte parë në një video të publikuar nga disa portale kosovare duke ia shqelmuar mbajtësen e parave një lypsari në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Për këtë, ai ka shkruar në Facebook se ishte “duke e kryer punën e inspektorëve”.
“Tu e kry punën e inspekcionit mas dy vjet britmash të çmendura ditë e natë në sheshin Nënë Tereza”, ka shkruar ai në Facebook.
Avokati Tomë Gashi ia shqelmon paratë e mbledhura një lypsari në sheshin e Prishtinës