Mbahet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës

“KEDS t’i kthehet Kosovës’, ‘Bllokoje tarifën’, ‘Albin rrenci’, ‘Asnjë cent më shumë’, janë disa nga parullat e përdorura gjatë protestës së një grupi qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Protesta ka filluar nga sheshi, ‘Zahir Pajaziti’ deri tek objekti i Qeverisë së Kosovës.

Më 28 janar 2022 përfundon faza e konsultimit publik për propozimin e ZRrE-së për vendosjen bllok-tarifës.

“Vendosja e bllok-tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse një familje e ka paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re ata do të paguajnë rreth 108 euro”, thuhet në njoftimin për protestë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Kurse konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovat me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 euro apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani. Kurse, konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovat dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 euro.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.