Mbahet konferencë me temën “Fushata Zgjedhore në Llupë”

Sot gjatë ditës është mbajtur konferencë me temën “Fushata në Llupë” në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformatave dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në media”.

Kjo konferencë është organizuar nga Instituti D4D me mbështetjen e NDI-së dhe USAID në Kosovë.

Gjatë diskutimit në këtë konferencë u prezantuan gjetjet kryesore të monitorimit të mediave online dhe rrjeteve sociale gjatë fushatës zgjedhore.

Nga të pranishmit u vlerësua se mjedisi medial në Kosovë është i ndjeshëm ndaj çrregullimeve të informacionit, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste.

Rezarta Krasniqi, drejtoreshë ekzekutive e Institutit D4D, theksoi se lajmet e pavërteta ndikojnë në integritetin zgjedhor, në veçanti në Kosovë marrë parasysh organizimin e shpeshtë të zgjedhjeve në vend.

Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente e NDI Kosovë, pohoi se dezinformimi dhe keqinformimi po dëmtojnë proceset demokratike në tërë botën dhe se Kosova nuk është imune ndaj këtij fenomeni.

“Luftimi i dezinformimit kërkon bashkëpunim dhe qasje gjithëpërfshirëse. Instituti Kombëtar Demokratik është i përkushtuar që të ndihmojë në këtë aspekt”, tha ajo.

Blerinë Ukshini, menaxhere e projektit në D4D, tha se çrregullimet e informacionit ishin pjesë e ambientit medial gjatë fushatës zgjedhore. Ajo theksoi praninë e mizogjinisë dhe shpërndarjen masive të informacioneve të pavërteta apo të manipuluara nëpër rrjete sociale.

Raporti i plotë i  monitorimit të mediave online dhe rrjeteve sociale në zgjedhjet lokale 2021 do të publikohet së shpejti, ku do të përfshihen edhe rekomandimet e dala nga diskutimi i sotëm.