Mbahet konferenca për ecurinë e rastit kundër Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Është duke u mbajtur konferenca për ecurinë e çështjes në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Në këtë konferencë është duke marrë pjesë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në cilësinë e mbrojtjes së njërit prej të akuzuarëve.

Hajredin Kuçi është pjesë e ekipi të Kadri Veselit. Kjo është bërë e ditur nga ana e avokatit Ben Emmerson.

Kuçi është parë brenda sallës ku po mbahet konferenca për ecurinë e çështjes.

Ditë më parë Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin Hashim Thaqit. Për mbrojtjen e të akuzuarave nga Gjykata Speciale Kosova pagoi 7 milionë euro.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me 6 akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës këto krime thuhet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.