Mbahet “Java e Shkencës” në Qendrën e Studentëve

Dëshira për të mësuar gjëra të reja dhe dashuria që kanë për shkencën ka bërë disa studentë të Qendrës Studentore në Prishtinë që të organizojnë “Javën Shkencore”.

Me mjete financiare që i siguruan nga xhepi i tyre, e me ndihmë teknike nga QS-ja, studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishitna”, Fjolla Mazrekaj,  Gramoz Shala, Ilir Kiçmari, Mergim Morina dhe Valtrina Cacaj, të ndihmuar nga Fjolla Meshi, Laurent Ramqaj dhe Rinesa Hoxha arritën që të realizojnë aktivitete të ndryshme për pesë ditë radhazi.

Gjithçka filloni më 14 mars, në ditën botërore të numrit PI, kur u organizua aktiviteti i parë i “Javës Shkencore”, PI-PONG.

“Me qenë se dita botërore e numrit PI është me datën 14 mars, në mënyrë simbolike kemi vendosur që edhe java e shkencës të fillojë po me këtë datë”, ka thënë njëra nga organizatoret e aktiviteteve, Valtrina Cacaj për KALLXO.com.

Sipas Cacaj, qëllimi i “PI-PONG” ka qenë shoqërimi i studentëve brenda QS-së të cilët, sipas saj, gjatë javës kanë marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera.

Pas suksesit që shënoi ky aktivitet, studentët patën mundësi të marrin pjesë edhe në vizitën e mbajtur në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK).

“Aty kemi pasur mundësinë të shohim si është krijuar ICK, qëllimet e saj, disa nga Start-Ups që kanë pasur fillimet aty, si dhe kemi marr informacione se ku të drejtohemi për çdo ide biznesi që mund të kemi”, është shprehur Cacaj.

Përpos kësaj vizite, në ditën e dytë të “Javës Shkencore”, studentët banues të QS-së, dhe jo vetëm, kanë pasur mundësin që të dëgjojnë ligjëratën “Modelime matematike dhe fizika moderne”.

Cacaj ka treguar për KALLXO.com se ligjërata është bërë nga dy studentë që studiojnë jashtë Kosovës.

“Kjo temë është ligjëruar nga studentët Lumi që studion në Tiranë dhe Endri që studion në Turqi”, tha ajo duke i falënderuar këta studentë për kohën dhe vullnetin që kanë pasur që t’i ndajnë njohuritë e tyre me studentët e UP-së.

Njohurit apo “trikët” e veta me studentët e universitetit publik i ka ndarë edhe Agon Gashi.

Dita e dytë e “Javës Shkencore” është përmbyllur nga Gashi me trikët e tij prej magjistari.

“Ka qenë aktivitet relaksues dhe përmbyllës i ditës”, tregoi Cacaj duke vazhduar të shpjegoj edhe aktivitetet e ditës së tretë.

E mërkura e javës së kaluar, studentët e QS-së i ka gjetur për vizitë tek Organizata Down Syndrome Kosova.

Kjo vizitë ka rezultuar në punimin e kartolinave të cilat planifikohen që të shiten.

Cacaj ka treguar për KALLXO.com se të ardhurat e fituara nga shitja e kartolinave do të shkojnë në ndihmë të personave që kanë sindromën Down.

Pas vizitës në këtë organizatë, mbrëmja e së mërkurës është përmbyllur me ligjëratën për Crypto Talk.

“Ligjërata është realizuar me ligjërues të licencuar, ku kemi biseduar për disa nga temat më aktuale të teknologjisë si: Blockchain, kripto valuta dhe trendi i tyre”, tregoi Cacaj.

Në ditën e katërt të “Javës Shkencore”, studentët pjesëmarrës në këtë organizim patën rastin që të shohin një film me karakter shkencorë.

Studentja Cacaj tha se pjesëmarrja ka qenë mjaft e madhe se filmi ka jap mesazhe të shumta dhe kuriozitete shkencore.

Përpos njohurive të marra nga ky organizim, u zbulua dhe një talent i “fshehur” i studentëve.

Pas përfundimit të filmit, studentët e QS-së për t’u argëtuar filluan këngën.

“Kemi vazhduar me karaoke ku jemi mahnitur nga talenti i “fshehur”, nëse mund të themi, i studentëve të Qendrës Studentore”, tregoi Cacaj.

Në ditën e fundit të “Javës Shkencore”, dita e pestë dhe ajo përmbyllëse u realizua me aktivitetin e vrojtimit të Hënës me Teleskop.

“Secili nga aktivitet e mbajtura ka arritur qëllimin që kemi pasur në fillim e që ka qenë që aktivitetet të jenë me karakter edukues, arsimorë, dhe socializues”, u shpreh Cacaj.

Studentët që organizuan “Javën e Shkencës” nuk mendojnë të ndalen me kaq.

Planet e tyre janë që të mbajnë edhe aktivitete tjera të ngjashme.

“Për të realizuar aktivitete të tjera na duhet financim sepse nuk kemi mundësi që të vazhdojmë vetëm me mjete tonat, prandaj do të provojmë që të aplikojmë ne grantet të ndryshme për grupe jo formale”, ka thënë Cacaj.

E njëjta ka thënë se edhe ndonjë donacion tjetër nga ndonjë donator do te ishte mëse i mirëseardhur nga grupi i tyre.

Pamje nga shafqja e filmit
Nata e vrojtimit me teleskop
Shfaqja magjike nga Agon Gashi