Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mbahet ceremonia e dërgimit të FSK-së dhe trupave amerikane në mision paqeruajtës

Në qytetin Xhonston të shtetit të Ajovas në SHBA është mbajtura ceremonia e organizuar me rastin e dërgimit të përbashkët të trupave nga Forca e Sigurisë Kosovës dhe Garda Kombëtare e Ajovas në mision paqeruajtës. Në një adresim përmes videos, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, tha se ky është një moment historik për vendin.

“Faleminderit popullit të Ajovas si dhe udhëheqësve si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë federal për besimin ndaj të arriturave të FSK-së dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Rama.

Kim Reynolds guvernatore e Ajovas, vlerësoi përkushtimin e këtyre forcave për lirinë, duke i falenderuar për sakrificën dhe shërbimin.

Më 6 janar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë se për dërgimin e misionit paqëruajtës në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, ka deklaruar Rama.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga zyrtarë shtetërorë se opsioni i Irakut është më pak i mundshëm, pasi ky shtet ende nuk e ka njohur Kosovën.

Me 5 janar, Kuvendi i Kosovës pati votuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Një ditë pas miratimit në kuvend, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës.

Kurse, më 31 dhjetor të vitit të kaluar[2020], Qeveria e Kosovës pati miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit.

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Shumë shtete, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Turqinë e kanë mbështetur FSK-në me pajisje ushtarake dhe trajnimin e kuadrit të saj profesional.

Kosova ka partneritet shtetëror me Ajovan, Garda Kombëtare e së cilit ndihmon FSK-në në ngritjen e saj dhe konsolidimin në ushtri.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura. Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës të zgjasë dhjetë vjet.

Aktualisht, FSK-ja ka 2,747 ushtarë aktivë, ndërkaq synimi është që kjo forcë të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë vetash./REL