Mbahet aktiviteti përmbyllës për “Ditët e Kulturës Shqiptare në Munih”

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me FC “Kosova”, mbajti aktivitetin përmbyllës për “Ditët e Kulturës Shqiptare në Munih”, Gjermani.

“Qëllimi i aktivitetit kulturor me rastin e festës së Flamurit ishte fuqizimi dhe bashkimi i diasporës shqiptare, studentëve, prindërve, shoqatave të ndryshme kulturore dhe shoqatave joqeveritare. Po ashtu, aktivitete si ky krijojnë mundësi  për t`u njohur sa më mirë mes vete e më pas edhe për të realizuar projekte të përbashkëta që për qëllim kanë ruajtjen e gjuhës, traditës, historisë kombëtare në diasporë, por edhe projekte më të mëdha që shërbejnë si promovim i Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka njoftuar MDIS.

“Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues e diplomatë nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Munih, të kryesuar nga konsulli Afrim Nura, i cili i përshëndeti të pranishmit me një fjalë rasti. Në kuadër të këtij aktiviteti që i kushtohej Ditës së Flamurit, zyrtarët e MDIS-it zhvilluan edhe takime të shumta me mësues në diasporë dhe shoqata të studentëve shqiptarë në Bavari. Në emër të MDIS-it, shoqatat u falënderuan për kontributin që po japin për ruajtjen e kulturës shqiptare. Atyre iu premtua mbështetje e vazhdueshme nga MDIS-i”, përfundon njoftimi.