Vjosa Osmani dhe Sergio Mattarella, Foto: ZPRK

Mattarella uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë: Italia mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës

Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i ka dërguar mesazh urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur përkushtimin e Italisë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.

Në mesazhin e tij, Mattarella ka theksuar se të dy shtetet kanë fuqizuar miqësinë vazhdimisht gjatë viteve, falë edhe kontributit të palëkundur të Italisë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.

Ai ka thënë se Roma e konsideron thelbësore arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas tij, ky hap përbën një aspekt kyç për realizmin e objektivit strategjik të integrimit të plotë në Bashkimin Europian.

“Republika e Italisë mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”- thuhet në urimin e Presidentit Mattarella.

Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald  Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

Osmani ka pranuar urime edhe nga Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar dhe nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.