Matoshi: Reduktimi i ndotjes së ajrit, sfidë për rajonin
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, me ftesë të ministrit të mjedisit të Maqedonisë Veriore, Naser Nuredini, dhe Bankës Botërore, po merr pjesë në konferencën rajonale, që për temë ka ndotjen e ajrit dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në reduktimin e ndotjes.
Ministri Matoshi ka prezantuar sfidat e shtetit të Kosovës dhe veprimet që shteti ynë po ndërmarr në reduktimin e ndotjes së ajrit.
Në komunikatë thuhet që Matoshi ka deklaruar se Republika e Kosovës ka marrë disa vendime në reduktimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje, ka filluar po ashtu fazën testuese për kontrollimin e gazrave që lirojnë veturat dhe po ashtu ka filluar me projektin për ndërrimin e filtrave të TC “Kosova B”, të financuar nga Bashkimi Evropian si dhe projektet e zgjerimit të rrjetit të koogjenerimit.
“Përveç veprimeve që kemi ndërmarrë e po ndërmarrin në reduktimin e ndotjes së ajrit, fokus të veçantë jemi duke i dhënë dhe informimit të drejtë të publikut mbi cilësinë e ajrit. Kështu falë përkrahjes së Bashkimit Evropian kemi instaluar softuerin për paraqitjen e të dhënave ne kohë reale nga stacionet që kemi në Kosovë, po ashtu kemi bërë dhe vendosjen e monitorëve ne Kryeqytet ku qytetaret mund të informohen rreth ndotjes së ajrit dhe njëkohësisht edhe për pasojat e ndotjes së ajrit në shëndet”, ka deklaruar Ministri Matoshi.
Matoshi në këtë konferencë ka kërkuar që Kosova të këtë qasje në fondet globale të mjedisit, duke vlerësuar se ndotja e ajrit nuk njeh kufij dhe kështu sipas tij duhet që të jemi të bashkuar në krijimin e një mjedisi të pastër.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.