Fatmir Matoshi, UD i ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Foto: Fatmir Matoshi/Facebook

Matoshi: Nuk kemi ankesa për zhurmë nga xhamitë dhe kishat

Edhe pse në vitin 2016  projektligji për mbrojtjen nga zhurma ishte miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi nuk është i informuar nëse ministria që ai e udhëheq, është duke mbajtur evidencë rreth zbatueshmërisë së këtij ligji.

Matoshi tha për KALLXO.com se që nga emërimi i tij si ushtrues detyre në këtë post nuk ka pranuar ndonjë ankesë që nuk ka gjetur trajtim.

“Besoj se secila ankesë që vjen edhe trajtohet, duheni me pas në konsideratë që ndonjëherë mund të ketë ankesa të shumta edhe ministria nuk ka ndoshta edhe shumë kapacitete për me mujt me i mbulu gjithë komunat, janë disa pajisje të sofistikuara me të cilat matet niveli i zhurmës. Unë si ministër nuk kam ndonjë vërejtje apo ndonjë ankesë nga dikush që nuk është trajtuar.”, ka thënë Matoshi.

I pyetur nga KALLXO.com për procesin e monitorimit dhe gjobitjes së personave apo institucioneve që kanë shkelur këtë ligj, ai thotë se nuk është detyrë e tij që të ketë informacion rreth kësaj çështje.

Ndërkaq, sa i përket objekte fetare që mund të kenë një probabilitet më të lartë në shkeljen e këtij ligji si pasojë e kambanave apo pajisjeve akustike që përdoren nga xhamitë, Matoshi theksoi se nuk kanë pranuar vërejtje të qytetarëve që ankohen për objektet fetare.

“Nuk është detyrë e imja me ditë se a është gjobitë dikush. Ata që gjobiten duhet me i paguar gjobat edhe unë muj me siguru informacione se sa ndërmarrje apo sa persona janë gjobitur për çështje të tejkalimit të nivelit të zhurmës, por realisht në këtë moment nuk e di se sa mund të jenë gjobitur. Nuk kemi vërejtje që objektet fetare, të paktën në ministri nuk kemi vërejtje që ato shkaktojnë zhurmë.”, përfundoi ai.