
Kandidati për deputet, Fatmir Matoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Matoshi nga Koalicioni AAK-Nisma e bën përgjegjëse Qeverinë Kurti për sanksionet e BE-së
Kandidati për deputet nga Koalicioni AAK-Nisma, Fatmir Matoshi, i quan të padrejta masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës nga Bashkimi Europian, mirëpo përgjegjëse për këto masa e mban Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
“Arsyet pse sot ne kemi masa duhet t’i gjejmë te Qeveria e Kosovës, sepse Kosova asnjëherë më parë nuk ka pasur masa. Ne kemi pasur bashkëpunim në të gjitha etapat. Është dukur që po na bie mirë në fillim, por neve na ka ra mirë edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, edhe me Pakon e Ahtisaarit, edhe me transformimin e FSK-së në Ushtri, që e ka bërë Ramush Haradinaj”- tha Matoshi, në “Debat Përnime” më 27.01.2025.
Mirëpo, si hap që do të ndërmerret nga AAK-Nisma, për heqjen e këtyre masave nëse vijnë në pushtet, Matoshi thotë se është krijimi i raporteve të sinqerta me ndërkombëtaret.
Ndërkohë, ai e ka vënë në pikëpyetje nëse veriu i Kosovës aktualisht është i sigurt.
“Kosova në ditën e parë të Qeverisë së re duhet me u ulë edhe me fol sinqerisht me partnerët e vetë. Një vend që mbahet me Njësi Speciale nuk është vend që ka siguri. Sot kushdo që thotë se në veri të Kosovës ka siguri, e ka gabim. Sot ka siguri atje sepse është Njësia Speciale. Po të kishte siguri atje, nuk do të ishte atje Njësia Speciale. Ai territor do të patrullohej me Polici të rregullt- normale, siç ndodhë në pjesën tjetër të vendit”- tha ai.
Ndërsa, kandidati Haki Abazi dha një detaj që sipas tij, fletë për raportet e kryeministrit Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai pretendon se Kurti nuk ia kishte hapur telefonin ish-ambasadorit Jeffry Hovenier për ngjarjet në veri.
“Skandali- që u tha edhe në Uashington është që kur janë bërë veprimet në veri, kryeministri nuk e ka kap telefonin kur është thirr prej ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Llogaritni çka jemi tu i ba popullit, tu e rrejt, ose që e ka rrejt për katër vite, se të gjithë qenkan gabim, por ne nuk qenkemi gabim”- tha Abazi.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: