
Kandidati i kaolicionit AAK-Nisma, Fatmir Matoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Matoshi: Do ta bëjmë Departamentin e Policisë Mjedisore
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) së bashku me partnerët e saj të koalicionit, në Programin zgjedhor për fushën e sigurisë kanë paraparë edhe një Departament Policor – shtesë.
I emërtuar si “Departamenti i Policisë Mjedisore”, ky Departament hyn në kuadër të reformave që ky koalicion i ka paraparë për secilin Stacion Policor në Kosovë – nëse del fitues në Zgjedhjet e 9 shkurtit.
Për këtë Departament foli kandidati për deputet, Fatmir Matoshi” në “Debat Përnime”, më 17.01.2025.
“Secili Stacion Policor në Kosovë duhet me i pasë zyrtarët e vetë policorë, që punojnë në kuadër të Departamentit të Policisë Mjedisore, sepse mjedisi është ka degradohet çdo ditë dhe nuk ka një dorë të fuqishme ta parandalojë krejt atë krim mjedisor.” – tha Matoshi.
Mbrojtjen e ambientit, Matoshi e sheh si shumë të nevojshme.
Sipas tij, këtë nuk mund ta bëjnë vetëm OJQ-të dhe inspektorët e mjedisit dhe ata komunal. Prandaj, siç ka thënë ai, duhet një polici e trajnuar mirë në këtë fushë.
Fillimisht është paraparë angazhimi i rreth 200 policëve në nivel vendi në këtë Departament.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:
“Direkt në NATO”: Plani i koalicionit AAK-Nisma për sigurinë në Kosovë