Matja e premtimeve të Ardian Gjinit për sigurinë publike

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, krenohet me atë që sipas tij, se Gjakova është një nga komunat më të qeta në Kosovë.

Duke folur për sigurinë publike, ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin, Gjini thotë se është e pamundur që dikush që ka kryer ndonjë vepër penale, të hyjë apo të dalë nga Gjakova pa u detektuar.

Kjo për shkak të vendosjes së kamerave të sigurisë nëpër hyrjet-daljet të territorit të komunës së Gjakovës. Megjithëse këto kamera të sigurisë kontrollohen nga Policia e Kosovës, Gjini thotë se projekti është i komunës së tij.

Në debatin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2021, në ‘Debat Pernime’, Gjini kishte thënë se Gjakova nuk shquhet për forma të radikalizmit. Ai kishte thënë se Komuna e tij mbështet financiarisht ‘Shtëpinë e Sigurt’ që merret me strehimin e grave që kanë pësuar dhunë në familje.

“Për herë të parë vitin e kaluar Komuna e Gjakovës, edhe sivjet, e mbështet financiarisht Shtëpinë e Sigurtë, nuk ka ndodhur më përpara. Ndërsa në tenderim është pajisja e të gjitha banesave kolektive me dyer të blinduara. Ka qenë premtim i imi elektoral, nuk kam arrit me e mbajtë vitin e kalun, do ta mbaj sivjet, është në procedurë të tenderimit dhe po besoj që për një ose dy javë do të fillojmë për montimin e dyerve të sigurta, interfonëve, kamerave në të gjitha banesat kolektive, vetëm sa të kryhet procesi i tenderimit, do të fillojnë të punohen”- premtonte Ardian Gjini.

Rreth 10 muaj më pas, Gjini thotë se projekti për kamerat e sigurisë ende është duke vazhduar.

“Praktikisht prej Gjakovës është e pamundshme me dalë dikush që ka shkaktu vepër penale apo me hy, pa u detektu diku. Për shkak se të gjitha nyjet e hyrje-daljeve në komunën e Gjakovës, jo vetëm brenda qytetit por edhe jashtë, janë të mbuluar”- ka thënë Gjini për KALLXO.com.

Në dhjetor të vitit 2021, Komuna e Gjakovës ka nënshkruar një kontratë me titullin ‘Furnizimi dhe mirëmbajtja me smart city kamera publike,shtyllat multifunksionale dhe paisjet tjera faza IV-rë’, me vlerë 219 mijë e 630 euro.

Sipas Gjinit, këtë projekt synon që ta përfundojë vitin e ardhshëm.

“Ky projekt po zgjatë që disa vite dhe sipas të gjitha gjasave vazhdon edhe pak. Edhe sivjet po që po, por sigurisht veç edhe vitin tjetër e atëherë nuk kemi nevojë më për montim të kamerave të sigurisë, por do të vazhdojmë me mirëmbajtje. Sidoqoftë, me një vendim të para disa muajve të disa institucioneve nacionale, Komunat nuk i monitorojnë vetë këto kamera, monitorimin e këtyre kamerave e bën Policia e Kosovës”.

Ndërsa për ‘Shtëpinë e Sigurt’ që është funksionon për strehimin e grave dhe fëmijëve të tyre që kanë përjetuar dhunë në familje, Gjini thotë se ka ndarë 4 mijë euro.

“Shtëpia e Sigurt merret kryesisht me strehimin e grave, fëmijët e tyre, ato që kanë përjetuar dhunë në familje edhe e kanë të pasigurt kthimin në familjen e vet, edhe nuk kanë vend ku me u kthy. Kjo është ajo që e bën Shtëpia e Sigurt, kjo është ajo aktiviteti primar. Punojnë edhe në edukim, riedukim dhe risocializim. Mbështetja për Shtëpinë e Sigurt nga Komuna është 4 mijë euro në vit”- ka thënë Gjini për KALLXO.com.

Kurse për pajisjen e banesave kolektive me dyer të blinduara, Gjini ka bërë të ditur se është duke u implementuar si projekt. Për këtë qëllim, Komuna e Gjakovës me 28 dhjetor të vitit 2021 ka nënshkruar një kontratë me titullin ‘Shkallët emergjente dhe dyret e hyrjes së banesave kolektive –kontratë dy vjecare’, në vlerë prej 130 mijë euro.

“Po ka përfundu në pranverë të hershme sivjet dhe janë duke u implementuar, operatori veq është duke punu. Projekti duhet të buxhetohet prapë, për shkak se jo vetëm në një vit buxhetor mundet me u përfundu krejt, do të punojmë deri sa të kryhet. Besoj që maksimumi i një projekti të tillë do të jetë dy vjet” – ka bërë të ditur Gjini.

Komuna e Gjakovës nuk ka mbajtur ndonjë aktivitet, prej që është ri-zgjedhur Gjini në pozitë, në lidhje me temën e ekstremizmit të dhunshëm apo të terrorizmit. Sipas kryetarit Gjini, Gjakova është një prej komunave më të qeta.

“Jo drejt për drejt (Komuna nuk ka mbajtë aktivitet për terrorizëm), prej meje nuk ka shku diçka. Gjakova nuk bën pjesë në komunat në të cilat ka probleme serioze me ekstremizmin e dhunshëm, ose terrorizmin ose me vepra të tilla. Bën pjesë në grupin e komunave më të qeta në Kosovë. Mirëpo ka institucione të tjera, organizata jo-qeveritare, institucione nacionale edhe ndërkombëtare që në vazhdimësi merren me këto tema”- ka thënë Gjini.

“Edhe raportet e deritashme në vazhdimësi tregojnë që kemi rënie të rasteve të dhunës të formës që mundet me u kualifiku si radikalizëm ose terrorizëm apo ekstremizëm. Janë forma më shumë ordinere të dhunës”.

Në anën tjetër, ‘Activism Roots’ është një organizatë lokale jo-qeveritare në Gjakovë, që merret kryesisht me të rinjtë. Kjo organizatë kohëve të fundit ka mbajtur disa aktivitete të ndryshme për temën e ekstremizmit, ndërsa udhëheqësi i saj, Ideal Zhaveli, thotë se fokusi ka qenë kryesisht tek shkollat e mesme, në të cilat janë organizuar diskutime me mësimdhënës dhe nxnëës.

“Qëllim i këtyre diskutimeve ishte që të shohim perspektiven e të dyja palëve rreth ekstremizmit por edhe informimin me detajisht rreth kësaj dukurie dhe kemi nxjerr rekomandime se si duhet të parandalohet ekstremizmi i dhunshëm (rekomandimet do të paraqiten javëve në vijim). Ne vazhdimisht përmes aktiviteteve tona, kemi për synim parandalimin e ekstremizmit duke zhvilluar trajnime të ndryshme që zhvillojnë mendimin kritik por edhe i angazhon qytetarët për komunitetin, kështu duke mos iu lërë hapësirë që të bëhen pjesë e ndonjë axhende ekstremiste”- ka bërë të ditur Zhaveli për KALLXO.com.

Këto aktivitete të ‘Activism Roots’ janë përkrahur nga misioni i OSBE-së në Kosovë, ndërsa nga Komuna e Gjakovës, sipas Zhavelit, nuk ka pasur përkrahje rreth këtyre aktiviteteve.

Por, edhe Zhaveli që është marrë me këtë temë që nga viti 2019, vlerëson se gjendja e sigurisë publike në Gjakovë është në nivel të kënaqshëm e sidomos pjesa e ekstremizmit.

“Në Komunën e Gjakovës siguria publike është në nivel të kënaqshëm, sidomos tek pjesa e esktremizmit të dhunshëm fetar i cili është i ulët por tek ekstermizmi politik mund të jetë kohë pas kohe problematik, bazuar në rrethanat specifikisht kohën e fushatave elektorale”- ka thënë Zhaveli.