Matja e përmbushjes së premtimeve nga qeverisja e Smajl Latifit

Një komunë relativisht e vogël në rajonin e Dukagjinit, e që ka diversitet kulturor, fetar, e etnik duhet të mbajë një ‘sy çelë’ edhe për problemet e mundshme të radikalizmit apo ekstremizmit.

Në Rahovec, thoshte kryetari aktual Smajl Latifi kur kandidonte për këtë pozitë në zgjedhjet lokale të 2021, e “mbajmë gjendjen stabile”.

Latifi kishte thënë në “DebatPernime” se kanë ekipe që e përcjellin në vazhdimësi situatën dhe ka programe që bashkë me Policinë, zbatohen në sektorin e sigurisë. Qëllimi, sipas tij, është për të luftuar dhe parandaluar eventualisht paraqitjen e radikalizmit.

Rreth 8 muaj pas rizgjedhjes së tij në krye të Rahovecit, Latifi thotë se gjendja prapë është e qetë dhe stabile. Ai krenohet me diversitetin kulturor, fetar e etnik të komunës së tij, ndonëse deri më tash nuk ka pasur ndonjë rast që e ka shqetësuar shumë.

Takimet me Këshillin Komunal të Sigurisë në Bashkësi, thotë Latifi, janë të rregullta.

“E kemi Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) dhe deri tash i kemi mbajtur 4 mbledhje. Aty trajtohen temat që mund  të prekin KKSB-në. Të përfshirë në të janë bashkësitë fetare, siç janë përfaqësuesit e Kishës ortodokse. Kemi komunikim gjithashtu me akterët e Policisë”, tregon ai.

Lufta në Lindjen e Mesme, si shumë shtete të Ballkanit, kishte pasur ndikim edhe në Kosovë. Nga vendi ynë kishte pasur numër të konsiderueshëm të personave që ishin larguar për të luftuar atje.

Por, Latifi thekson se në komunën që e udhëheqë nuk ka pasur ndonjë rast që ka pasur qëllim dhunën.

 “Lufta në Siri ka pasur ndikim në të kaluarën, por tani nuk kemi ndonjë rast që ka pasur qëllim për ndonjë veprim të dëmshëm, nga ajo që mund të quhet radikalizëm apo ekstremizëm”, thekson Latifi.

Ai jep edhe disa shifra, rreth gjendjes me sigurinë në Rahovec.

“Për shëmbull, në vitin 2020 në komunën tonë janë regjistruar 27 raste të dhunës, në vitin 2021 janë 28 raste, ndërsa në vitin 2022 janë 32 raste. Fjala është për 6 muajt e parë të secilit vit”.

Në muajin qershor të këtij viti, sipas Latifit, përmes Zyrës Komunale për Kthim dhe Komunitete është mbajtur një tryezë diskutimi.

“Në muajin qershor përmes Zyrës Komunale për Kthim dhe Komunitete e kemi mbajtur një tryezë disktutimi bashkë me shoqatën e pavarur të gruas ‘Hareja’. Tema e diskutimit ka qenë ‘E drejta e grave për trashëgimi në pronë’”.

Sipas tij, në këtë tryezë kanë marrë pjesë disa organizata joqeveritare, përfaqësues të bashkësisë islame, të gjykatës, Avokatit të Popullit dhe Policisë.

Kryetari Smajl Latifi thotë se nëpër shkollat e komunës së tij, ka pasur raste të dhunës, por jo që lidhen me ekstremizmin.

“Nëpër shkollat e komunës tonë kemi raste të dhunës, por jo të ekstremizmit apo të radikalizmit. Përmes programeve të veçanta të Drejtorisë së Arsimit, kohë pas kohe realizojmë diskutime për temat siç janë ‘dukuria e kërkim-lëmoshës’, apo ‘pasoja e narkotikëve nëpër shkolla’”.

Gjatë muajit prill në komunën e Rahovecit nëpër disa shkolla janë organizuar diskutime me nxënësit, me disa tema të caktuara.

“Në muajin prill të këtij viti kemi mbajtur nëpër shkollat e komunës diskutime me temën ‘Respektimi i shumëllojshëmrisë së shoqërisë, për luftimin e radikalizmit’. Nëpër këto takime është diskutuar gjithashtu për bullizmin, dukuritë negative si alkooli dhe droga”,  thotë Latifi.

Por një sfidë në vete për të dhe komunën është funksionalizmi i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL). Latifi thotë se edhe pse ekziston Kuvendi i të rinjëve, KVRL-ja vazhdon të mbetet jo-funksionale, përkundër përpjekeve që janë bërë, sipas tij, për ta funksionalizuar. 

Mustafa Hoti, drejtor i shkollës ‘Ukshin Hoti’ në Krushë të Madhe për KALLXO.com ka thënë se gjatë këtij viti, si shkollë e mesme, përmes Drejtorisë së Arsimit kanë mbajtur aktivitete kryesisht me Policinë e Kosovës.

Temat, sipas tij, kanë qenë për dukuritë negative nëpër shkolla.

“Konkretisht në fillim të vitit i kemi pasur dy të tilla. Kanë qenë si diskutime të hapura me nxënës. Për temë kanë qenë dukuritë negative si droga, alkooli dhe dhuna. Po ashtu, edhe qendra rinore disa herë ka mbajtë aktivitete të ngjashme në shkollën tonë, si përshembull për bullizmin, ngacmimet. Besoj që kanë qenë aktivitete të mjaftueshme. Konrketisht për radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm nuk e di që kemi pasur ndonjë diskutim. Ndoshta është përmend kështu, por temë të veçantë jo”, ka bërë të ditur Hoti.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Rahovecit, Lendrit Qeli, ka thënë se që rreth 4 vite sa është në këtë pozitë, nuk i ka rastisur që të ketë rast ku është trajtuar ndonjë person i rikthyer nga luftrat e huaja.

Ai thotë se as nuk është në kompetencë të zyrës që e udhëheqë, që të mirret me këto raste.

“Për temën e radikalizmit dhe të ekstremizmit ne nuk e kemi mision të zyrës, domethënë nuk jemi marrë asnjëherë me këto tema, se nuk është fushë e jona. Ne më shumë koncentrimin e kemi tek komunitetet jo shumicë, te riatdhesimi dhe kthimi”, ka bërë të ditur Qeli.

Sipas tij, Zyra për Komunitete dhe Kthim kryen vetëm punët administrative të personave që riatdhesohen në Kosovë, e që sipas tij, janë të ndarë në dy kategori.

“Përshembull, zakonisht prej Gjermanisë apo Zvicrës dhe kriteri i parë që ne fillojmë procedurën me ta, ne iu marrim një dokument fillimisht quhet ‘travel dokument’. Ata kur t’i kthejnë, ka ndodh që i kthejnë pa paralajmërim. Edhe ne zakonisht iu lëshojmë një dokument si ‘pasaportë’, me ato ne i shikojmë në sistem, sepse zakonisht ata i regjistrojnë në aeroport menjëherë. Është një zyrtar  i posaçëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme që i regjistron gjatë procesit të kthimit”, thotë ai.

“Numrin më të madh të kthimit ne e kemi me komunitetin serb, që vijnë prej Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, këta që kanë ikë pas luftës. Janë dy lloje të kthimit, një është për të riatdhesuarit që vijnë prej diasporës. Edhe tjetri është prej vendeve të regjionit, që ne si Rahovec e kemi më shumë prej Serbisë dhe fluksi më i madh është në fshatin Hoqë”, ka bërë të ditur Qeli.

Ai po ashtu ka thënë se sipas kritereve, të riatdhesuarit, si Komunë, i mbështesin përmes pagesës së qirasë së banimit apo të ndihmave ushqimore.

Kryetari Smajl Latifi thotë se në Rahovec ka harmoni fetare e etnike, sipas tij, edhe pse atje njerëzit predikojnë forma të ndryshme të religjioni.