Qyteti i Ferizajt, FOTO KALLXO

Matja e përmbushjes së premtimeve nga qeverisja e Agim Aliut

Në kohën kur po garonte edhe për një mandat në krye të Komunës së Ferizajt në vitin 2021, Agim Aliu ishte pyetur në “DebatPernime” për qasjen dhe planet e tij në drejtim të parandalimit të radikalizmit, ekstremizmit dhe në rritje të sigurisë publike.

Aliu tregonte se çfarë kishte bërë deri atëkohë për këtë çështje, ndonëse përsëriste që është një temë e ndjeshme dhe kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Ai thoshte se kanë organizuar ligjërata, trajnime edhe nëpër shkolla dhe me imamët e bashkësisë islame të Ferizajt.

Krahas investimeve që kanë të bëjnë me sigurinë publike ai përmendi edhe sinjalististikë dhe kamera të sigurisë.

“Sigurisht që ne e kemi bërë me të gjitha komponentët e sigurisë dhe do ta bëjmë, duke e përfshirë madje edhe klerikët fetarë, sepse u përmend edhe çështjet e ekstremizmit, ne e kemi bërë poashtu si komunë. Kemi organizuar ligjërata, kemi organizuar trajnime, po ashtu nëpër shkolla dhe me imamët e bashkësisë islame të Ferizajt. Por e thashë, që është çështje komplekse dhe ne i kemi të gjitha planet që ju i përmendet. Por investimet që kanë të bëjnë me sigurinë publike janë edhe çështje që kanë të bëjnë me sinjalistikë, kamera të sigurisë  e po ashtu edhe me plane konkrete”, ka thënë Aliu më 17.09.2021

Nëntë muaj pas, KALLXO.com ka kërkuar raportin e Komunës së Ferizajt se çfarë punësh janë kryer lidhur me parandalimin e radikalizmit të dhunshëm dhe investimeve në sigurinë publike.

Sipas përgjigjeve të Komunës, kanë zhvilluar ligjërata dhe trajnime bashkë me klerin fetar, Policinë e Kosovës në Ferizaj, ligjërata për nxënësit në shkollat e komunës, duke njoftuar mbi rreziqet e këtij fenomeni, format e shfaqjes së tij, si dhe detyrën e gjithsecilit që ta luftoj këtë fenomen.

Në baza të rregullta, thonë se janë në komunikim e takime të rregullta me drejtues të Policisë së Kosovës në Ferizaj, KFOR-in amerikan të pozicionuar në Kampin “Bondsteel”, organizata të shoqërisë civile që vazhdueshëm kanë zhvilluar takime, konferenca, tryeza e trajnime me zyrtarët komunal mbi këtë çështje.

Në raportin që KALLXO.com ka siguruar nga Policia e Ferizaj shihet se temat se në periudhën nëntor-dhjetor 2021 në shkollat fillore nga 21 që janë mbajtur 14 ligjërata për temë kanë pasur bullzimin në shkollat dhe të tjerat dhuna në familje, dhe “si të jemi të sigurt gjatë lëvizjes në rrugë”.

Kurse gjatë muajit shkurt të vitit 2022, tetë ligjërata janë mbajtur në shkollat e mesme me temën “parandalimi i ngacmimeve seksuale”

Në muajin mars në shkollat fillore ferizajase, forcat e rendit kanë mbajtur ligjërata në 11 shkolla fillore me temën “ Ruajtja e Ambientit dhe e Trashëgimisë kulturore dhe Pasojat e narkotikëve”.

Me temën “Bullizmi dhe masat parandaluese +Siguria e qarkullimit të këmbësorëve në trafik” janë mbajtur tri ligjërata në muajin prill 2022. Në muajin prill theksojnë se është mbajtur një ligjëratë në shkollën ‘’Vezir Jashari’’ ne baskëpunim me OSBE-në me temë ‘’Radikalizmi’’ ku ka ligjëruar zyrtari i OSBE-së.

Në anën tjetër, në tetë shkolla fillore policia e Kosovës ka mbajtur ligjërata me temën “Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm qe shpie drejt terrorizmit”

Nga këto tetë shkolla, gjashtë prej tyre kanë konfirmuar për KALLXO.com se Policia e Kosovës ka mbajtur ligjërata në shkolla të tyre, por që shumica janë shprehur jo të sigurt për temën që është diskutuar.

Kurse, Bashkësia Islame në Ferizaj ka treguar për aktivitetet që kanë marrë pjesë por që i përkasin vitit 2017. Tema e trajtuar ka qenë parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe fushata kundër radikalizmit.

Te dukuritë negative, Komuna e Ferizajt tregon për KALLXO.com se kanë investuar dhe mbështetur financiarisht aktivitetin e Qendrës Rehabilituese “Ri-Jeta”, qendër kjo e specializuar për trajtimin dhe rehabilitimin e përdoruesve të drogave.

Sipas tyre, Komuna e Ferizajt ka ndarë mjete buxhetore përmes thirrjes publike për ndarjen e subvencioneve për këtë qendër, por edhe me vendime të tjera të kryetarit të Komunës së Ferizajt, për subvencionime nën 1000 euro. Gjithashtu shtojnë se së fundmi është vendimi i muajit të fundit ku është përkrahur kjo qendër me subvencion në vlerën 900 euro.

“Në bazë vjetore, aktivitetin e saj, e mbështet financiarisht Komuna e Ferizajt, duke garantuar kështu funksionimin e saj. Edhe në këtë pikëpamje, kemi zhvilluar trajnime dhe bashkëbisedim me nxënës në shkolla fillore dhe të mesme, për të sensibilizuar rreziqet që vijnë nga përdorimi i drogave”, thuhet në përgjigjen e Komunës që udhëhiqet nga Agim Aliu.

Në një prononcim për KALLXO.com drejtoresha e organizatës “Ri-Jeta”, Arjeta Musliu ka thënë se në vitin 2019 kanë marrë subvencion 900 euro për kampanjën kundër përdoruesve të drogave, në vitin 2020 i kanë marrë 2000 euro për shpenzimet e qendrës.

Musliu shtoi së në vitin 2021 nuk kanë marrë subvencione kurse në 2022 janë në pritje që t’i marrin 900 euro të cilat janë për qiranë e qendrës.

Në anën tjetër, të çështja e sigurisë publike, Aliu në “DebatPernime” kishte përmendur vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

Komuna thotë se pjesa më e madhe e territorit në qytet është e mbuluar nga kamerat e sigurisë që monitorohen nga Policia.

Gjithashtu shtojnë se përveç investimit në sinjalistikë standarde, kanë investuar edhe në sinjalisikë digjitale paralajmëruese në mënyrë që të bëhet rregullimi teknik në formë digjitale të trafikut rrugore.

Komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu thotë se kanë kryer investime të mëdha në infrastrukturën rrugore më qellim të rritjes së sigurisë publike. Në këtë pikë përmendin projektet e ndërtimit të nënkalimeve përgjatë qendrës së qytetit.

“Gjithashtu, në këtë pikëpamje, pra të sigurisë së përgjithshme, kemi kryer investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, gjë që bën drastikisht ndryshim pozitiv në kuptim të rritjes së sigurisë publike, mjafton të përmendim faktin e ndërtimit të nënkalimeve përgjatë qendrës së qytetit, vende këto që deri para këtyre investimeve ishin caqe të rrezikshme kalimi e vdekjeprurëse, duke sjellë viktima të shumta nga qarkullimi i trenit përgjatë qendrës së qytetit”, ka thënë Komuna e Ferizajt.

Komuna e Ferizajt ka të miratuar dhe është në zbatim të plotë të Planit/Strategjisë së Reagimit në raste emergjente, dokument ky bazë për mobilizimin institucional e qytetar në raste të emergjencave.