Maskat i vënë zjarrin lokalit, e lënë pa ndjenja rojtarin - VIDEO

Policia në Mitrovicë ende është duke e hetuar rastin e djegies së një lokali në Vushtrri, i cili natën e 8 Korrikut u përfshi nga flaka. Personat e maskuar kishin hyrë në lokal duke e lagur me derivate të naftës e më pas ja kishin vënë edhe flakën. Gjatë kësaj kohe në lokal kishte qenë sigurimi i lokalit i cili ishte sulmuar nga personat e dyshuar, i njëjti kishte arritur të largohet nga një hyrje tjetër alternative.

Bekim Shala pronari i lokalit thekson se 120 mijë euro llogaritet dëmi i shkaktuar nga zjarri, fatmirësisht sipas tij nuk ka të lënduar në njerëz sepse sikur zjarri të kishte arritur tek bombolat e gazit në kuzhinë do i rrezikonte edhe banorët e asaj ndërtese.

“Pasi kemi mbaruar ndejën në diskotekë e kemi pas hapjen më kanë thirr më kanë thanë se u djeg restauranti. Ne i kemi investuar mbi 120 mijë euro me kredia me gjëra çka i kemi marr komplet është djegur qysh po e shihni edhe vet s’ka mbet asgjë. Zjarri ka muajt me kalua nalt qysh i patë janë 4 bombola të gazit ka mundur komplet ndërtesa m`u shkatërru, janë 60 familje t`u banu nalt, kanë mundur të gjithë me vdekë, rojtarin e kemi pas këtu ma kanë sulmu rojtarin i kanë ra në krye ka mbetur pa vetëdije fal zotit ka shpëtu”, tha Shala

Rexhep Gashi, i cili ishte duke e ruajtur lokalin ka rrëfyer momentin e zjarrit dhe si arriti të largohet pasi kishte humbur vetëdijen nga goditjet që kishte marr nga personat që ja vunë flakën lokalit. Personat e maskuar Gashin e kishin goditur dy herë, një herë me një shishe e pastaj edhe e kishin shqelmuar.

“Unë kam ardhur për idare për me mbajt familjen, brenda jam kanë ulën qetu edhe në 03:10 ora kur i kanë ra me shakt derës edhe e thyen xhamin edhe kam vrapuar këtu edhe ai më ka gjuajtur me shishe dhe më ka rrok në kokë. Njëri e shpërndante benzinën e tjetri më goditi edhe atëherë unë veç e hupa vetëdijen dhe nga flaka nuk munda me dalë nga hyrja kryesore dhe dola nga kuzhina. Personat janë kanë të veshur me të zeza komplet”, tha Gashi.

Shala tha se ka dyshimet e tij rreth personave se kush kanë mund të jenë të dyshuarit dhe se këto dyshime ja ka përcjellë Policisë së Kosovë dhe është në pritje që drejtësia të vihet në vend.

“Policia ka thënë se rasti është nën hetime këqyrim, policinë i kemi lajmëruar, policia nuk bën kurrgjë nuk kemi ku ankohemi”, tha Shala.

“Ku ta di unë po këqyrim me na marr pare, na pare nuk kemi me jap se di, kisha pas veç një dëshirë me ditë prej policisë për çka borxh nuk ju kam, nuk kam pështjellur me ta, me ditë çka është puna për çka, as nuk na lanë me punu, mundohemi me punu nuk na lanë”, Theksoi Shala.

Policia e Kosovës nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka treguar se rasti është duke u hetuar.

“Gjatë natës së datës 8 korrik 2021, në SP Vushtrri është raportuar se një lokal në rrugën “Galip Badivuku” ishte kapluar nga zjarri, njësitë e zjarrfikësve kanë shuar zjarrin. Hetuesit policor kanë nisur hetimet, dyshimet fillestare për shkaktarin e zjarrit janë ngritur pasi sipas ankuesit njëherit roje e lokalit, ka deklaruar se dy persona të dyshuar kanë hedhur lëndë ndezëse brenda lokalit me pas janë larguar. Rasti është iniciuar dhe po hetohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e policisë për Kallxo.com.

Pronari i lokalit thekson se ky nuk është rasti i parë që biznesi i tij është sulmua.

“Kemi pas rast 2019 na kanë djegur diskotekën nalt kemi pas rast me 6 të këtij muaji tentim me na djeg prapë, kemi pas rast me 7 probleme me ta në diskotekë dhe me 7 mbrëmje ka ndodh kjo që e kanë djegur, Policia u kanë e njoftur rasti gjithë ne procedurë të rregullt hiç kurrgjë nuk ka”, potencon Shala.