
"Mashtrimi" për marrjen e patentë-shoferit në Gjilan - Policia jep detajet e rastit
Policia e Kosovës ka njoftuar se një kandidat për patentë-shofer është kapur duke përdorur pajisje elektronike.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 27.08.2024, në Qendrën e Patentë Shoferëve në Gjilan.
Në bazë të një komunikate të lëshuar dje, më 10.02.2025, thuhet se kandidati është kapur me pajisje elektronike të fshehura në trup, përfshirë një minimikrofon, pajisje për internet dhe një minikamerë, të cilat dyshohet se i shërbenin për të kaluar testin në mënyrë të jashtëligjshme.
Policia pas pranimit të informatës ka dalë në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar të dyshuarin dhe ka konfiskuar pajisjet si prova materiale.
“Pas hetimeve, Policia ka identifikuar një person dhe ka kontrolluar banesën e tij, por ai nuk është gjetur aty. Njësia i ka lënë ftesë për intervistë dhe më 10 shkurt 2025 i dyshuari është paraqitur vullnetarisht në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij.” – njoftoi Policia, dje më 10.02.2025.
Tutje, thuhet se në bazë të provave të siguruara, ndaj të dyshuarit është ngritur dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale: “mashtrim”.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është lëshuar Aktvendimi për ndalimin e tij për 48 orë.
Ndërsa, Policia sot më 11.02.2025 bën të ditur se ka arrestuar edhe personin i cili dyshohet se kandidatit në fjalë i kishte marrë një shumë parash prej 600 euro dhe duke përdorur pajisje elektronike në këmbim që kandidati në këtë rast të ketë mundësi që të kalojë testin për patentë-shofer.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje – thekson Policia.
Policia kishte njoftuar të hënën, më 10.02.2025, se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta kundër çdo përpjekjeje për manipulim të testeve të patentë-shoferëve dhe formave të tjera të mashtrimit.