Ilustrim

Mashtrimi me termine të vizave, aktakuzë ndaj 4 të dyshuarve për përfitim të kundërligjshëm të mbi 660 mijë eurove

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mbi 667,950 euro, kanë mashtruar më shumë se 400 persona me pretendimin se do t’iu caktojnë termine të vizave dhe për shmangie tatimore.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit nga shtatori i vitit 2019 deri në fund të tetorit 2020 iu kanë shkaktuar dëm më shumë se 400 personave.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit kanë bashkëpunuar me një agjenci në Prishtinë dhe kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’iu caktojnë termine të vizave dhe do t’iu sigurojnë vende pune në vendet perëndimore e skandinave.

Më tej aty thuhet se të dyshuarit këtë e kanë bërë duke shfrytëzuar profilet e tyre nëpër rrjete sociale si Facebook dhe Instagram. Po ashtu, sipas Prokurorisë, të dyshuarit paratë e fituara nuk i kanë deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, ku vlera e shumës së shmangur nga tatimi arrin vlerën 50 mijë euro.

Prokuroria pretendon se këta persona kanë vënë në lajthim Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve të Kosovës (ARBK), duke vërtetuar pronësinë e biznesit nga një pronar imagjinar i biznesit.

Prokuroria ka kërkuar që këtyre personave tu caktohet masa e paraburgimit për veprat penale, mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi, t’iu konfiskohet pasuria e fituar dhe t’i obligojë të paguajnë dëmshpërblim.