Mashtrimi me bileta nga 'Prishtina Jet', ftohen qytetarët që të paraqiten në polici

Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë rënë pre e mashtrimeve më bileta fiktive të aeroplanit, të lëshuara nga kompania “Prishtina Jet”, të paraqiten në polici.

Kjo për shkak që secili rast të trajtohet nga ana e policisë dhe që të sigurohen prova shtesë për ketë rast.

Palët mund të paraqiten te hetuesit në Njësit Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të PK-së,  në: Prishtinë, Mitrovice- jug, Mitrovice Veri, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, së bashku me hetuesit e Krimeve Kibernetike, dje më 04.08.2022, kanë arrestuar dy të dyshuar, pronarë të agjencisë “Prishtina Jet”, meshkuj kosovarë, shtetas të Kosovës, të cilët dyshohet ta kenë kryer veprën penale ‘mashtrim’ me bileta të udhëtimit”, thuhet në komunikatën e forcave të rendit.

Prokuroria e Prishtinës sot kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj pronarëve të kompanisë “Prishtina Jet”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i çështjes sot më ka njoftuar që ka ushtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dy bashkëpronarëve të “Prishtina Jet” në fakt dhe i njëjti më tha se mbetet që me e caktu gjykata”, tha Ulaj.

Prokuroria e Prishtinës dje ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronarë të agjencisë turistike “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrimi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, M.K. dhe A.B. dyshohen se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes agjencisë, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë sesa çmimi aktual.

Gjatë bastisjes janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.