Ilustrim

Mashtrimi me bileta fiktive, kërkohet paraburgimi për bashkëpronarët e “Prishtina Jet”

Prokuroria e Prishtinës sot kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj pronarëve të kompanisë “Prishtina Jet”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhëndësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i çështjes sot më ka njoftuar që ka ushtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dy bashkëpronarëve të “Prishtina Jet” në fakt dhe i njëjti më tha se mbetet që me e caktu gjykata”, tha Ulaj.

Prokuroria e Prishtinës dje ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronarë të agjencisë turistike “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – mashtrimi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, M.K. dhe A.B. dyshohen se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes agjencisë, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë sesa çmimi aktual.

Gjatë bastisjes janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.