Mashtrimet me kreditë në internet

Në muajt e fundit në Kosovë është identifikuar një trend i shpërndarjes së positmeve të rreme të cilat promovojnë kredi marrjen.

Platforma pirate janë promovuar muajve të fundit në rrjetet sociale synojë që nëpërmjet mashtrimit ti fusin në aplikim qytetarët duke synuar tu vjedhin të dhënat personale apo edhe ti mashtrojnë për të paguar para në llogari fiktive.

Vetëm brenda muajit tetor dhe nëntor krypometri ka arritur të identifikojë gjashtë lajme të rreme të cilat kanë për temë oferta kredish të rreme madje duke përdorur edhe llogari të institucioneve bankare të vërtëta.

“Kredi personale”, “ kredi të shpejtë” “ kredi të sigurta” , janë disa nga shkrimet të cilat i përcjellin këto lajme. Madje disa prej tyre vendosin edhe linqe për aplikim për këto kredi të rreme.

“Kredi personale, profesionale ose për pasuri të paluajtshme 💰 Shuma e disponueshme: nga 5,000 € në 500,000 € 📅 Kohëzgjatja fleksibël: nga 6 deri në 120 muaj 📉 Norma konkurruese e interesit ⏱ Përgjigje e shpejtë pa detyrim!”- është njëri nga shkrimet të cilin krypometri e ka verifikuar si të rremë.

Përmes kërkimit në internet është verifikuar se llogo e përdorur në këtë publikim është e Bankës Kombëtare Tregtare- BKT, ku kjo e fundit ka konfirmuar se linku nuk i takon këtij institucioni.

Një ndër lajmet tjera është edhe ai për kredi deri në 100 mijë euro.

“Kredi fiks vec per ty! Merr kredi ne 100,000€ ne KREDI PERSONALE! Te sigurt dhe te shpejte! Aplikoni online👉https://m.me/krediprivate”- shkruan poshtë infografikës.

Por kur klikon në këtë postim për më shumë informacione, linku të dergon tek një bisedë [chat] në rrjetin social Facebook.

Krypometër ka komunikuar me personat që e menaxhojnë këtë faqe dhe të cilët kanë thënë se janë të licencuar, mirëpo nuk kanë treguar se nga cili institucion kanë marrë licencë.Krypometër ka kontrolluar edhe ueb-faqen e Bankës Qendrore të Kososvës (BQK), përkatësisht listën e institucioneve financiare të licencuara/ regjistruara në vend dhe aty nuk figuron asnjë institucion me emrin Kredi personale.

Mustafë Kadrijaj, ekspert i fushës së ekonomisë e ka quajtur shqetësues këtë trend të shpërndarjes së informacionve të rreme të cilat lidhen me kreditë.

Kadrijaj thotë se “ është shumë e lehtë dhe normale që qytetarët të bien pre e këtyre mashtrimeve në emer të kredive sepse janë tunduese ofertat se si i servojnë faqet e ndryshme tek ta dhe se jo të gjithë mund të verifikojnë se një ofertë e kësaj natyre është e pasaktë apo mashtrim”.

Ai thekson se duhet të ketë hapa konkretë nga institucionet relevante për të parandaluar mashtrimet e tilla.

“Vlerësoj se institucionet relevante duhet të rritin vigjilicën, investigojnë dhe parandalojnë këto grupe profitere të paligjshme duke shkaktuar dëme serioze tek qytetarët për faktin që si rezulutat i teknologjisë rreziku nuk mund të shihet”- thotë ai.

Jakup Bellaqa, ekonomist, thekson se për t’u shmangur mundësitë për keqpërdorime, qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë nëse institucionet të cilat ofrojnë kredi janë të licencuara në Bankën Qendrore të Kosovës.

“Qytetarët nuk duhet të bien pre nga subjekte sepse janë jo zyrtare dhe të jashtë ligjshme. Të gjitha ato institucione financare të cilat nuk janë të licencuara nga BQK nuk janë të ligjshme. Deri sa ato nuk jepin fakte që nuk janë të regjistruar qytetarët nuk duhet të bijnë në këto kurthe”- tha ai për KALLXO.com

Dren Gërguri, profesor universtar, ka një shpjegim se pse pikërisht në këtë periudhë ka rritje të numrit të lajmeve të rreme rreth marrjes së kredisë.

“Kreditë gjithashtu mund të përdoren si karrem sepse bëhet fjalë për periudha kur shpenzimet rriten për shkak të të ftohtit, për shkak të festave, etj., dhe kësisoj qytetarët mund të kenë më shumë intetes për informacione që kanë të bëjnë me kredi “të shpejta dhe të favorshme” “- tha ai.

Gërguri  shtoi se “këto mund të shtyjnë qytetarët të marrin vendime të dëmshme, duke u bazuar në të pavërteta dhe kjo mund t’ua rrezikojë edhe shëndetin mendor, përveç ndikimit në aspektin ekonomik”.