Foto: Facebook / Prishtina International Airport - Adem Jashari

Mashtrimet me bileta, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë pasi dyshohet se ka mashtruar disa qytetarë duke iu rezervuar bileta udhëtimi me aeroplan vetëm në njërin drejtim ndërsa pagesat iu ka marrë për dy drejtimet, vajtje-ardhje.

Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht në stacionin policor në Pejë janë paraqitur tre persona si viktima të mashtrimit me bileta të udhëtimit e më pas janë lajmëruar edhe 15 të tjerë.

“Tё njёjtit deklarojnё se nё afate tё ndryshme kohore nё vitin 2022, gjatё sezonit verorё kanё rezervuar bileta tё aeroplanit vajtje-ardhje pёr ta dhe familjarёt e tyre nga shtete tё ndryshme tё Europёs pёr nё Kosovё. I dyshuari tё njejtit i ka vёnё nё lajthim me qёllim pёrfitimit personal, duke iu rezervuar bileta vetёm nё njerin drejtim ndёrsa paratё iu ka marrё qytetarёve pёr dy drejtimet. Pas fillimit tё hetimeve nga Stacioni Policor Pejё, i dyshuari nuk ka qenё i qasshёm dhe ndёrkohё me datё 08.08.2022, nga familjarёt e tij ёshtё paraqitur si person i zhdukur.”, thuhet në njoftimin e organeve të rendit.

I dyshuari, R.I. i  lindur më 1990 pas intervistimit me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.