Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër

Mashtrim, humbje historike: Reagimi i opozitës ndaj Kurtit për marrëveshjen në Ohër

Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Sipas BE-së, ndonëse nuk është nënshkruar, marrëveshja është arritur mes dy palëve, pas një takimi maratonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një postimi në Facebook se kryeministri Kurti, “pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë, po ashtu në Facebook, se epilogu i kryeministrit Kurti, si kryeministër në dialog, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.

“Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka thënë ai.

Të dy e kanë përmendur edhe çështjen e njohjes reciproke dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt – pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiq atë ditë – nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Krasniqi ka thënë se “marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.

Lidhur me këtë temë, Abdixhiku beson se Kurti i ka siguruar Kosovës ”një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të”.

Vetë Kurti ka thënë, pas takimit të 18 marsit, se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje. REL