MAShTI: Vazhdon mësimi nga distanca

Mësimi nga distanca për nxënësit e Kosovës do të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një njoftimi për media.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton nxënësit, prindërit dhe punonjësit e arsimit në Republikën e Kosovës, se për shkak të situatës emergjente të shkaktuar nga pandemia COVID – 19, Qeveria e Kosovës, me datë 26.03.2020 ka marrë vendim për vazhdimin e ndërprerjes së procesit mësimor-edukativ deri në një vendim tjetër”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje thuhet se ndërprerja e procesit edukativo-mësimor vlen për të gjitha nivelet, nga institucionet parashkollore e deri te institucionet e arsimit të lartë në sektorin publik dhe atë privat.

“MAShTI u bën thirrje nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, që të vazhdojnë ndjekjen dhe zbatimin e mësimit në distance”, përfundon njoftimi.

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Pas kësaj, 12 ditë pasi u mbyllën shkollat, më 23 mars filloi mësimi online apo mësimi nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka filluar sot.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Mësimi po zhvillohet  vetëm në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë dhe materialet janë të gatshme për nivelin 1-5, kurse ditëve në vijim pritet të përgatiten për nivelet e tjera.