Ilustrim

MAShTI: Të hënën të gjitha shkollat në pushim

Të gjitha institucionet edukative arsimore të arsimit parauniversitar do të ketë pushim të hënën, më 14 qershor 2021. MAShTI thotë se për nder të kësaj dite që shënon hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, sipas kalendarit shkollor për vitin 2020/21, shkollat do ta kenë ditë pushimi të hënën.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), që të premten në të gjitha shkollat fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta, ora e parë e mësimit t’i kushtohet 12 qershorit – Ditës së Paqes.

“Po ashtu, MAShTI inkurajon shkollat që në kuadër të aktiviteteve të tyre, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve, gjatë kësaj dite, të përfshijnë edhe aktivitete vetëdijesuese kundër formave të rënda të punës së fëmijëve, dëmit, pasojave në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës, si dhe raportimit drejt institucioneve përgjegjëse”, thuhet më tej në njoftim.