MASHTI publikon listën e studentëve të STEM-it që përfituan nga 1 mijë euro

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar listën e përfituesve në Thirrjen për mbështetjen financiare të studentëve që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë e Matematikës (STEM).

Listën e studentëve përfitues mund ta gjeni në këtë link.

Sipas MAShTI-t, në këtë thirrje kanë aplikuar 3,618 studentë, ndërkaq komisioni vlerësues ka konstatuar se 1,609 kanë përmbushur kriteret sipas thirrjes dhe janë përfitues të mbështetjes financiare në vlerë 1 mijë euro, prej të cilëve 1,366 vajza/gra dhe 243 djem/burra.

“Për këtë skemë të filluar vitin e kaluar, sivjet është dyfishuar buxheti nga një milion në dy milionë, prandaj është dyfishuar edhe numri i përfituesve dhe është zgjeruar thirrja, duke përfshirë edhe djemtë/burrat” – thuhet në njoftim.

Tutje, është thënë se MAShTI tashmë ka njoftuar studentët që janë përfitues në dy apo më shumë skema, se mund të zgjedhin vetëm njërën nga skemat që dëshirojnë të përfitojnë.