MASHTI ofron mbështje financiare deri në 7,000 euro për 20 studentë që studiojnë master jashtë vendit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpallur sot thirrje për mbështetje financiare për studentët që janë regjistruar apo vijojnë studimet në nivelin master në top 150 universitetet më prestigjioze në botë, sipas listës ‘Times Higher Education’.

Ministrja Arbërie Nagavci ka njoftuar se këtë vit numri maksimal i përfituesve do të jetë 20, ndërsa shuma maksimale e kësaj mbështetjeje do të jetë 7,000 euro për student.

“Përparësi do të kenë ata që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informative e komunikimit, aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike” – ka shkruar ministrja Nagavci në Facebook.

Sipas ministres, gratë të kenë përparësi për t’u përzgjedhur si fituese të kësaj mbështetje financiare.

“Për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra.” – tha tutje ministrja Nagavci.

Afati i fundit për të aplikuar është data 29 gusht 2022, ora 16:00.

Kjo mbështetje për të rinjtë që studiojnë në këto universitete po bëhet për të dytin vit me radhë.

Këtu mund të aplikojnë të interesuarit.