Arkiv

MAShTI: Mësimi plotësues për Testin e Arritshmërisë ka filluar në të gjitha komunat

Ministria e Arsimit, Shkëncës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se mësimi plotësues për Testin e Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta është mbajtur në të gjitha komunat.

“MAShTI kontaktuar sot të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe sipas raportimeve, procesi i fillimit të përgatitjeve  në shkolla për Testin e Arritshmërisë ka shkuar sipas Kalendarit të përshtatur nga MAShTI për përfundimin e vitit shkollor 2019/2020 në rrethana të pandemisë COVID-19”, thuhet në një njoftim për media.

MAShTI ka theksuar se kanë marrë konfirmim nga ana e Drejtorive të Arsimit nga të gjitha komuna se është duke u zhvilluar mësimi plotësues.

“Sipas raportimeve të DKA-ve, mësimi plotësues për nxënësit e klasave të nënta, i paraparë të fillojë sot me Kalendarin e përshtatur, ka filluar në të gjitha komunat, përveç në Komunën e Malishevës dhe atë Junikut për arsye se nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë përgaditjet e nevojshme në të gjitha shkollat dhe në këto komuna mësimi pritet të fillojë gjatë javës”, thuhet më tej.

MAShTI ka shtuar se sipas deklarimeve të përgjegjësve të arsimit nëpër komuna, është bërë edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe janë siguruar dezinfektues dhe maska në shkolla dhe po zbatohen rekomandimet e IKShP-së.

Mësimi plotësues për përgatitje për Testin e Arritshmërisë do të zgjasë deri më 19 qershor, ndërsa Testi do të mbahet më 23 qershor 2020.