MAShTI ia nostrifikon diplomën Emanuel Bajrës pasi atij i refuzohet aplikimi për guvernator të BQK-së

Emanuel Bajra ka thënë se organet drejtuese të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ia kanë bërë të padrejtë kur vendosën ta refuzonin aplikimin e tij për Guvernator të BQK-së.

Në reagim e tij, Emanuel Bajra ka thënë se aplikimi i tij u refuzua pasi procedurat për nostrifikimin e diplomës universitare të studimeve themelore, ishin duke vazhduar. Ai tha se ka plotësuar të gjitha kriteret që parashihen me legjislacionin në fuqi.

“Unë e kam plotësuar këtë kriter dhe që diploma ime universitetit është konfirmuar nga MASHTI dhe që është pranuar si kualifikim i vërtetuar por procesi i nostrifikimit do të merrte një kohë të gjatë. Sot (më 24 janar) jam njoftuar se MASHTI është në proces të nostrifikimit të diplomës sime dhe mund të ndodh brenda orësh, që është rekord kohë për dikë nga jashtë që vjen me diplomë të huaj e që nostrifikon diplomën brenda disa jave” – thotë tutje ai.

Bajra ka dërguar në redaksinë e KALLXO.com dokumentin e nostrifikimit të diplomës universitare të studimeve themelore e cila është lëshuar nga MAShTI sot, më 25 janar.

Këtë dëshmi Bajra e ka dërguar edhe tek komisioni përzgjedhës për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

KALLXO.com ka kërkuar sot një përgjigje edhe nga BQK për pretendimet e kandidatit Emanuel Bajra. Zyra për medie e BQK-së dërgoi përgjigjen e njëjtë që ky institucion ia dërgoi kandidatit Bajra.

“Në bazë të dokumentacionit të pranuar prej juve, Paneli ka konstatuar se nuk e keni paraqitur nostrifikimin/njohjen e diplomës tuaj të fituar jashtë vendit siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ të MASHTI-it. Dokumenti që ju keni paraqitur, është një dëshmi që keni aplikuar në organet përkatëse në MASHTI për njohje të diplomës, po nuk është dëshmi mbi nostrifikim/njohjen e diplomës tuaj të fituar në Angli” – thuhet në përgjigje e BQK-së.

Banka Qendrore e Kosovës hapi konkurs publik më 18 nëntor 2022 ndërsa për pozitën e të parit të këtij institucioni aplikuan 17 kandidatë.

Kandidati për Guvernator akuzon organet drejtuese të BQK-së pas refuzimit të aplikimit