Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

MASHTI hap aplikimin për Licencim të Avancuar për Mësimdhënie 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njofton se sot (04.12.2024), është hapur thirrja për aplikim për mësimdhënësit që synojnë të marrin Licencën e Avncuar për Mësimdhënie. 

Përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook, Nagavci thotë se kjo është thirrja e parë publike në Kosovë që MASHTI u bën mësimdhënësve. 

Ndëkraq, kjo thirrje thotë se vlenë për mësuesit e arsimit fillor, mësidhënësit e lëndës “Matematikë” në Arsimin e Mesëm të Ulët dhe Arsimin e Mesëm të Lartë dhe për Mësimdhënësit e lëndës “Gjuhë shqipe” në Arsimin e Mesëm të Ulët dhe në Arsimin e Mesëm të Lartë. 

“Aplikimi mund të bëhet përmes platformës e-kosova nga sot deri më 19.12.2024. Të gjitha ato/ata që do të përmbyllin suksesshëm këtë proces do të përfitojnë shtesën e performancës”- shkruan Nagavci. 

Nagavci më 30.07.2024 kishte njoftuar për lansimin e aplikimit online për licensimin e mësimdhënësve në Platformën ekosova. 

Nagavci: Hapet aplikimi online për licensim të mësimdhënësve 

Llojet e licencave për të cilat mund të aplikohet janë: aplikimi i parë për licencë të karrierës në mësimdhënie, aplikimi për përtrirje të licencës së karrierës në mësimdhënie, aplikimi i parë për licencë të avancuar në mësimdhënie, aplikimi për përtrirje të licencës së avancuar në mësimdhënie dhe aplikimi për licencë të përhershme në mësimdhënie, thuhet në postimin e ministres. 

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se nuk e ka parë njoftimin e ministres Nagavci për licencimin e mësimdhënësve. Sipas tij, ministrja është dashur t’ia thoshte në takimin që kanë zhvilluar së bashku më 03.12.2024.

“Është thënë se në shtator do të filloj ky proces sfidues për kolegët e mi që të provojnë të avancohen, mirëpo populli e thotë më mirë vonë se kurrë. Uroj që të bëhet, sepse kjo mund të jetë një deklaratë para protestës” – ka thënë Jasharaj.

Ai megjithatë e sheh si hap pozitiv njoftimin e ministres Nagavci, sepse beson se kolegët e tij do të avancohen. Por, Jasharaj uron që të mos mashtrohen mësimdhënësit, sepse me fitimin e gradës së re parashihet të ketë edhe lëvizje në paga.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë, më 28.12.2023, ka bërë të ditur se në qershor të vitit 2024 pritet që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi. Sipas ministres Nagavci, qëllimi i këtij provimi është të mundësojë licencën e avansuar për mësimdhënës, të cilët edhe do të paguhen nga Ministria e Arsimit në rast se tregohen të suksesshëm.

“Prej qershorit të vitit të ardhshëm ne synojmë të nisimin me provimin për mësimdhënës, i cili do të mundësojë licencën e avansuar për mësimdhënës sipas kritereve të përcaktuara dhe tashmë në ligjin e buxhetit por edhe në ligjin e pagave ne e kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të jetë me qëllim të pagesës për mësimdhënësit, të cilët do të anvansohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin” – kishte  deklaruar ministrja Nagavci.

 

Shënim: Artikulli është plotësuar në ora 16:30 me deklaratat e kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.